Thaçi e Vuçiq në takim në Shtëpinë e Bardhë

Zëri i Amerikës mëson se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po takohen të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Tani për tani nuk është e qartë se në çfarë formati po takohen ata, por më herët ishte paralajmëruar që presidenti serb do të pritej nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien.
Presidenti serb më herët gjatë ditës nuk e përjashtoi mundësinë e takimit më presidentin Thaçi.

“Pres të shoh. Nuk kam temë për të. Pres të shoh se çfarë do të thonë nikoqirët tanë nëse kjo ndodhë”, tha ai para se të shkonte në Shtëpinë e Bardhë.
Të dy presidentët ndodhen në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Brenda më pak se një muaji Shtetet e Bashkuara siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve.