Tha se u kthye me 1 milion dollarë, por çfarë kishte punuar vajza e Sali Berishës në Kosovë

Sali Berisha ka deklaruar mbrse vajza e tij dhe bashkëshorti i saj janë kthyer në Shqipëri me 1 milion dollarë, që kanë fituar gjatë punës 7-vjeçare në Kosovë. Por, çka ka punuar vajza e Berishës?

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion”, ku është deklaruar lidhur me vendimin që atij dhe familjes së tij t’iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa ju përgjigj akuzave të DASH, ngritur ndaj tij dhe familjes duke i penguar hyrjen në SHBA, Berisha ka mohuar në mënyrë kategorike që ai dhe familjarët e tij të jenë përfitues të fondeve publike.

Duke ju referuar vajzës së tij, Berisha tha se pas 7 viteve punë në Kosovë, ajo dhe bashkëshorti i saj u kthyen me 1 milionë dollarë të konfirmuar nga OKB.
“Marrim vajzën. Këtu, në këtë studio kur është kthyer nga Kosova kanë bërë bilancin. Ata kanë punuar 7 vite në Kosovë në pozicion të mirë ajo dhe dhëndri. Të ardhurat 7 vjeçare të të dyve arrinin në 1 milion e 400 mijë dollarë. Kishin shpenzuar 400 mijë dhe janë kthyer me 1 milion të konfirmuara nga OKB”, tha Berisha, duke shtuar se fëmijët e tij nuk e kanë përdorur kurrë pushtetin e tij për influencë.

Për punët që ka bërë në Kosovë, vajza e Berishës, Argita Malltezi, ka treguar në CV’në e saj.
Ajo ka treguar se që nga viti 2000 e deri në vitin 2005, ka punuar si juriste në Kosovë, në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Nga viti 2000 deri në 2002, ajo ka punuar si jurist në Zyrën e Prokurorit Ndërkombëtar Prishtinë, DoJ, UNMIK.

Më pas ka punuar në Divizionin Ndërkombëtar të mbështetjen Ligjore, për të kaluar në Zyrën e Gjyqtarit Ndërkombëtar.
Puna e fundit që ka bërë në Kosovë ka qenë si juriste në Dhomën Speciale të Gjykatës së Lartë të Kosovës, për çështjet e privatizimit. Në këtë pozitë, ajo ka punuar deri në nëntor të vitit 2005.