Tetovë: U promovua monografia mbi veprimtarinë kulturore-artistike të shoqatës “TRADITA” si dhe revista për Letërsi, Art dhe Kulturë “METAFORA”


Sot në Universitetin e Tetovës, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, e promovoi monografinë e saj Veprimtaria kulturore-artistike dhe revistën për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”.
Në promovimin e këtyre botimeve morën pjesë profesorë dhe studentë të UT-së, personalitete të njohura nga lëmi i arsimit, i kulturës, i artit si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Në rrugëtimin e saj 10–vjeçar, Shoqata “Tradita”, nëpërmjet organizimit të manifestimeve të ndryshme kulturore, konferencave shkencore, përkujtimit të artistëve, të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve të kauzës kombëtare, ka kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe në promovimin e ideve dhe të vlerave universale.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Mr. Sc. Selam Sulejmani, theksoi midis tjerash: “… ky vizion dhe orientim na ka shoqëruar gjithmonë në punën tonë të përbashkët që është mbështetur në thënien e njohur se arti dhe kultura i përkasin gjithë botës dhe para tyre zhduken të gjithë kufijtë”.

“Modele të tilla komunikimi janë të dobishme për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive, etnive etj. Prandaj, falë bashkëpunimit me artistë e shkrimtarë të njohur, veprimtarë të kulturës dhe hulumtues shkencorë, kemi arritur që t’i realizojmë me sukses të plotë 8 edicione të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, 5 edicione të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, disa akademi përkujtimore në nderim të figurave më eminente të kulturës dhe të historisë sonë, tri konferenca shkencore, disa tryeza dhe tribuna publike si dhe 5 botime nga lëmi i arsimit, i shkencës dhe i kulturës”- u shpreh Mr. Sc. Selam Sulejmani.

Po ashtu ai pohoi se gazetat, revistat, librat – janë thesar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e brezave dhe e popujve.
“Ne që kemi zgjedhur të merremi me këtë profesion, sa fisnik, aq edhe human, u besojmë ideve të formuluara drejt nga Branko Merxhani, i cili potenconte se shqiptarët duhet të orientohen nga Perëndimi, nëpërmjet një mendimi sistematik. Ai thoshte se shteti mund të bëhet me njerëz që besonin se “gjysma e ditës është e tyre, ndërsa gjysma tjetër – e shoqërisë”, pra me qytetarët që japin dhe që kërkojnë më shumë” – shtoi në vijim z. Selami.

“Kultura shqiptare ka kaluar nëpër periudha, procese dhe sfida të mëdha, por të gjithë ata që merren me studimin e saj, konstatojnë se kultura jonë ka njohur edhe kohët e saj të arta. Mjafton t’u referohemi viteve ‘30 të shekullit të kaluar kur u zhvillua një debat i jashtëzakonshëm cilësor dhe intelektual. Anëtarët e redaksisë së botimeve që i promovojmë sot janë emra të nderuar në shoqëri, që kanë shkëlqyer në profesionet e tyre dhe që kurrë nuk kanë bërë kompromis me konformizmin. Shoqata jonë ka nderin që publikimet e saj të redaktohen nga profilet e dëshmuar, si Prof. Xhelal Zejneli, Prof. Salajdin Salihu, Prof. Zeqirja Idrizi, Prof. Entela Kasi nga Shqipëria dhe Prof. Ndue Ukaj nga Kosova. Profesorët e nderuar me përvojën dhe punën shumëvjeçare kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Falë përkrahjes së tyre dhe të bashkëpunëtorëve tanë të tjerë, sot e shohin dritën e botimit monografia e shoqatës sonë dhe numri i parë i revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora” – tha Mr. Sc. Selam Sulejmani.

Prof. Xhelal Zejneli në cilësinë e anëtarit të redaksisë u shpreh se revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora” të cilën e boton Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, redaktohet nga persona kompetentë të lëmit të letërsisë, të artit dhe të kulturës të hapësirës sonë. “Synim themelor i “Metaforës” është ngritja shpirtërore e njeriut në këto udhëkryqe ballkanike, shpeshherë të ngulfatur nga atavizmat e së kaluarës. Me frymën e saj të re, të kthjellët dhe të shëndetshme, revista paraqet një vlerë krejtësisht të re në mjedisin tonë. Në të afirmohen vlerat që i çelin shtigjet e bashkëjetesës midis popujve dhe të forcimit të saj, që çojnë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë, që ngjallin mirëbesim të ndërsjellë, që i luftojnë paragjykimet dhe që sugjerojnë tolerancë e mirëkuptim midis njerëzve. Vlerat estetike të “Metaforës” na mësojnë sesi midis dallimeve të shohim dhe të vërejmë bukuri dhe pasuri”- pohoi Prof. Xhelal Zejneli.

Ai shtoi se “Metafora” është zëri i arsyes dhe i shpirtit të lirë, pikërisht për faktin se letërsia, arti dhe kultura janë vlera të cilat nuk mund të paramendohen jashtë arsyes njerëzore. “Metafora” është gjuha poetike vetë. “Metafora” dëshmon se poezia apo fjala artistike janë e bukura vetë, janë vlera që nuk njohin kufij midis njerëzve, që arrijnë edhe në qytetërimet më të largëta.

Ndërsa Prof. Dr. Salajdin Salihu, po ashtu anëtar i redaksisë së revistës tha se i gëzohet daljes së numrit të parë të revistës “Metafora”dhe shprehu optimizmin e tij se kjo revistë një ditë do të bëhet metaforë e shkrimeve cilësore.

“Unë dua që revista “Metafora” të jetë në shërbim të atyre që e duan letërsisë dhe jo në shërbim të atyre që u nevojiten revistat për karrierë akademike. Botimi i një reviste kulturore dhe shkencore kërkon përkushtim e përgjegjësi. Unë jam i bindur se kjo revistë do ta ruajë cilësinë, sepse gjërat cilësore mbeten kur shumëçka të jetë harruar. Sot revistat kulturore vështirë mbijetojnë, sepse nuk i dedikohen publikut. Tregu është bërë i pamëshirshëm ndaj këtyre mediave. Prandaj nevojitet një politikë e mençur kulturore, e cila do t’i trajtojë revistat kulturore si pasuri. Investimi në këso revistash nënkupton investim në mendimin shkencor dhe në vlera artistike”- deklaroi midis tjerash Prof. Dr. Salajdin Salihu.

Botimet që u promovuan sot, në zhanre të ndryshme letrare e pasqyrojnë thellësinë historike të kulturës sonë dhe sjellin tema nga e kaluara si dhe nga aktualiteti ynë.
Moderatore e këtij evenimenti kulturor ishte Mr. Sc. Adrijana Velija. Pjesën artistike të programit e realizuan Oreli dhe Olti Esati, ndërsa fotografitë – Dritan Abdiji.