Tetovë: Policia ua sekuestron edhe mërgimtarëve veturat

Mbrëmë (29 Korrik) në periudhën nga ora 00:30 minuta deri më 01:30 minuta, nëpunësit policorë të SPB Tetovë-Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor, pas informatave paraprakisht të marra se në autostradën Tetovë-Shkup, përkatësisht nga pika e karburantit të autostradës në hyrje të Tetovës tek kyçja “Veri”, do të organizohen gara ilegale me automjete, pas së cilës menjëherë është vepruar dhe aty janë pikasur 14 automjete me targa regjistrimi të Tetovës dhe targa të shteteve të huaja, të cilat përkohësisht janë sekuestruar në SP për SKRR Tetovë. Gjatë ditës së sotme automjetet janë dërguar në kontrollim teknik, gjatë të cilit te gjashtë prej tyre janë konstatuar parregullësi teknike, nga të cilat dy kanë qenë me zhurmshmëri më të madhe nga e lejuara dhe janë sekuestruar në afat prej tre muajve.

Të gjitha automjetet me parregullësi teknike janë përjashtuar nga trafiku, kurse kundër shoferëve do të parashtrohen kallëzime përkatëse dhe ata do të ballafaqohen me dënim prej 400 eurove në kundërvlerë në denarë.
Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë apelon deri te qytetarët, përkatësisht te gjenerata e re se organizimi i garave ilegale me automjete paraqet rrezik për ata dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik dhe çdo veprim në kundërshtim me ligjin në mënyrë të duhur do të sanksionohet.