Tetovë: Policia me apel për qytetarët gjatë sezonit veror

Nëpërmjet një njoftimi të SPB – Tetovë, thuhet se “me fillimin e rritjes së temperaturave të cilat tash po mbizotërojnë në vendin tonë, në krahasim të temperaturat e vetëm një jave me parë, në masë të madhe janë rritur edhe rreziqet potenciale për përhapjen e mundshme të zjarreve edhe në rajonin e Pollogut”.

Kjo, sipas tyre, më së shumti për arsye se ky rajon posedon një vegjetacion të bujshëm dhe për këtë arsye nevojitet zgjuarsi maksimale dhe sjellje të përgjegjshme të secilit individ.

“Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, apelon qytetarët që të jenë syçelë dhe maksimalisht të kujdesshëm, nëse lëvizin dhe punojnë nëpër fushat e tyre apo nëpër pyje, të mos i djegin mbeturinat, megjet dhe kashtat nëpër arat e tyre dhe të mos hedhin të djegura të pa fikura mirë dhe cigare të ndezura”, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga SPB Tetovë thonë krahas kësaj, ata të cilët gjatë fundjavës do të qëndrojnë në vende për piknik, paralajmërohen që të mos ndezje të zjarreve, të cilat në situata kur nuk fiken mirë, shumë shpejtë mund të rrindezen dhe përhapen përreth dhe me këtë të shkaktojnë pasoja të ndryshme dhe rënda materiale. Këshillohen që në vende të hapura të mos lënë shishe prej qelqi apo lëndë tjera, të cilat gjatë qëndrimit më të gjatë në diell, mundë të shkaktojnë zjarre.

“Për arsye se, në të kundërtën nëse me apo pa dashje ose nga pakujdesia shkaktohet zjarr, do të ballafaqohen me sanksione rigoroze ligjore, gjegjësisht parashtresa, të cilat në instanca përfundimtare parashihen edhe dënime me burg prej 6 muaj deri 8 vjet, varësisht nga lloji i zjarrit, pasojat dhe rrethanat tjera.

Sektori i punëve të brendshme Tetovë, është duke ndërmarrë masa të ndryshme dhe të koordinuara preventive, që në kohë të detektohen shkaktarët e mundshëm të zjarreve, kurse do të përforcohen aktivitetet e planifikuara kontrolluese në rajonin më të gjerë”, thuhet në fund të njoftimit.