Tetovë: Më shumë të vdekur sesa raste të reja me COVID-19

Raportet ditore të Institutit për Shëndet Publik tregojnë se javën e fundit në rajonin e Tetovës ka numër më të madh të rasteve të vdekjes, në krahasim me numrin e rasteve të reja me COVID-19.
Sipas kompetentëve, kjo ka të bëjë me administrimin joadekuat të pandemisë. Nga 17 maji deri dje, në Tetovë janë regjistruar 17 të vdekur, ndërsa 14 të infektuar të rinj, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ka numër të madh të rasteve të vdekjes nga prilli dhe maji te të cilët nuk ishin kompletuar dokumentet dhe administrimi, madje tani janë regjistruar si të vdekur. Për shembull në spitalin e Tetovës të dielën kishte vetëm një pacient të vdekur, ndërsa në raporte janë futur tre persona. Nga ana tjetër nuk ka edhe aq njerëz në mjekim spitalor që të ketë vdekshmëri më të madhe. Deri të dielën kishte katër, një i vdekur dhe tre mbetën të hospitalizuar. Ashtu nuk bëhet fjalë për vdekshmëri të rritur në spital”, sqaron doktor Gëzim Nuredini, koordinator i Qendrës për Kovid.

Në ambulancën e kovid qendrës gjatë 24 orëve nga e hëna, 24 maj, ka pasur 37 persona për kontroll. Sipas statistikës së Ministrisë së Shëndetësisë duke e përfshirë edhe ditën e hënë në rajonin e Tetovës ka 104 raste aktive.
Gjatë pandemisë ishin 7.207 të infektuar, ndërsa kanë vdekur gjithsej 319 persona.