Tetovë, ja çfarë propozuan këshilltarët komunalë për borxhin prej 24 milionë eurove

Borxhi i Komunës së Tetovës është 24,01 milionë euro së bashku me ndërmarrjet publike dhe shkollat. Vetëm Komuna ka mbi 14 milionë euro, NPK Tetova ka mbi 9.6 millionë euro, Parkingu i qytetit mbi 187 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Biseduam me këshilltarët komunal nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse në këshill për të parë se cili është qëndrimi i tyre për këtë borxh dhe çfarë zgjidhje propozojnë për zvogëlimin e tij.

Blerim Osmani, këshilltar nga BDI tha se duhet të kemi parasysh që pothuajse të gjithë vetëqeverisjet lokale në vend ballafaqohen me probleme të ngjashme financiare, nevojat e qytetit zmadhohen me zhvillimin e qytetit çdo ditë, ndërsa kapacitetet financiare janë po të njëjtat.

“Duke u bazuar edhe në kompetencat që dalin nga vetë rregullat pozitive në vend, administratës në përbërje me udhëheqësinë e re i takon te hartojë plan për dinamiken e pagesës dhe menaxhimin e borxhit. E dimë se ndërmarrjet në kuadër te komunës, me çdo kusht duhet t`i kryejnë obligimet e tyre, ndërsa pagesat, jo gjithmonë janë shlyer në përputhshmëri me shërbimet, këtu futen edhe investimet kapitale, që jo gjithmonë realizimet shkojnë sipas planeve, dhe nevojiten intervenime shtesë.

Nganjëherë, vetë nevoja për të siguruar shërbime dhe që këto shërbime të ofrohen në kohë, ka sjell edhe në situata ku krijohen borxhe. Gjithsesi kam bindjen që duhet një intervenim serioz kur flasim për resurset financiare, që çdo komunë të ketë buxhet konform nevojave të qytetarëve dhe numrit të banorëve.” tha Blerim Osmani.

Për këshilltarin e VMRO-DPMNE-së Angell Karapetrov këto çështje kërkojnë shtjellim shumë më të gjerë dhe fatkeqësisht nuk ka zgjidhje të menjëhershme për të.

“Së pari, ajo që duhet bërë është një plan dhe program për rehabilitimin e komunës dhe ndërmarrjeve publike dhe sigurimin e fondeve për financim të vazhdueshëm. Së dyti, Komuna e Tetovës të takohet me kreditorët për riprogramimin e borxhit dhe rritjen e afatit për pagesën dhe respektimin e tij. Së treti, ndihma shtetërore për ndërmarrjet publike që kanë akumuluar probleme dhe ulje të arkëtimit të faturave për shkak të Covid-19.

Së katërti, pushteti vendor duhet të ofrojë shërbime cilësore dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët, por edhe të rrisë pagesën e taksave dhe faturave komunale, të cilat do të ofrojnë shërbime publike më të mira dhe do të ofrojnë rezerva fiskale për sfidat e ardhshme. Së pesti, zvogëlimi i kostove të panevojshme dhe presim nga zyrtarët publik modesti në veprim dhe heqje dorë nga privilegjet.” tha Angell Karapetrov.

Nga lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, Elmedina Abdullai tha se duhet të gjendet mënyrë për verifikim të situatës aktuale nëse borxhet janë bërë nga mosrealizimi i pagesave për kryerje të punëve sipas kërkesave në shpalljet publike.

“Nëse ka lëshime në procedurë, cilësi, sasi, etj të penalizohen të njëjtat kompani të cilëve u ka borxh Komuna pa e dhënë shërbimin e duhur. Është proces i gjatë por i vetëm për ta zvogëluar borxhin dhe mësim për operatorët ekonomik se duhet punët të kryhen në përputhshmëri me kontratën e lidhur. Në ndërkohë, patjetër duhet të ndalet keq menaxhimi, të bëhet përmirësimi i shërbimeve komunale dhe të bëhet mbledhje efikase e pagesave për shërbimet përkatëse. Duhet të jepet mundësia që mbledhja e taksave dhe tatimeve retroaktive për vitet që kanë kaluar të bëhet në këste ose me ndonjë lirim. Me një fjalë, duhet të respektohet ligji dhe rregullat që të ketë mundësi të funksionojnë institucionet pa pengesë në të kundërtën çdo situatë tjetër do të jetë vetëm vazhdim i situatës kaotike në Komunën e Tetovës. Për veç mbulesës së borxhit, shumë me rëndësi të bahet aplikim për fonde/grante të cilat po ashtu mund të ndihmoj në zbutjen e krizës financiare në Komunë.” tha Elmedina Abdullai.

Për këshilltarin e LSDM-së Ilija Dimitrieski, edhe pse kjo është situatë e vështirë, ka mënyra se si mund të funksionojë ku gjëja e parë që kryetari duhet të përmirësojë është volumi i taksave dhe detyrimeve të tjera.

“Nga ajo që di unë, pagesat nga tatimi në pronë në Komunën e Tetovës janë të dobëta. Kjo mund të përmirësohet duke lehtësuar mënyrat e pagesës për qytetarët, duke mundësuar pagesën në mënyrë elektronike dhe duke dërguar vendimin e tatimit të pronës në shtëpitë e atyre që nuk mund të paguajnë elektronikisht. Gjithashtu, në fushën e taksës së pronës, tatimi duhet të rregullohet sipas pasurisë që kanë qytetarët dhe të gjithë duhet të taksohen në mënyrë të drejtë. Më pas, të rritet volumi i arkëtimit të taksës për ujin e pijshëm. Komuna duhet të rrisë në mënyrë drastike tarifat nga shfrytëzimi i sipërfaqeve publike në qytet nga subjektet private. Gjithashtu, përdorimi i hapësirave publike duhet të jetë i rregulluar, i kufizuar në kohë dhe i kontrolluar. Komuna mund të përcaktojë taksat për zhurmën dhe me rastin e dhënies së lejeve për të lëshuar muzikë në lokale, mund ta taksojë atë leje në baza mujore. Rritja e taksave për transportin e taksive në qytet si dhe rregullimin dhe unifikimin e transportit të taksive. Vendosja e taksës në baza mujore për dërgimin e produkteve te subjektet ekonomike të qytetit.” tha Ilija Dimitrieski.
Ndër propozimet tjera, Dimitrieski propozoi edhe dy zgjidhje në fushën e urbanizmit.