Tetovë, interesimi i shtuar për të bërë testimin për COVID-19

Edhe përkundër rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19 në rajonin e Tetovës, shumë pak qytetarë janë duke respektuar masat që i kanë vendosur institucionet përgjegjëse. Krahas kësaj, epidemiologët një kohë të gjatë janë duke u përballur me gjetjen e personave të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit nga ky virus.

Rritja e shifrave me Covid-19 në Tetovë dhe rrethinë si duket ka bërë që të frikësohen qytetarët dhe të kërkojnë të kryejnë testin se a janë të infektuar apo jo dhe të jenë më të qetë.
Nga Qendra për shëndet publik në Tetovë thonë se edhe gjatë vikendit kanë qenë në teren dhe kanë kryer testime tek personat e dyshimtë. Nga kjo qendër thonë se janë duke bërë përgatitjet e fundit që të bëjnë skriningun e popullatës sidomos të personave që mund të kenë këtë virus dhe paraqesin rrezik për popullatën.

“Jo vetëm që nuk ka rezistencë tek popullata për testim, por është rritur dukshëm numri i atyre që dëshirojnë të testohen me vetë iniciativë. Nuk mund të arrijmë që të testojmë të gjithë personat e interesuar. Ekipet tona edhe gjatë kohës së vikendit kanë qenë në terren dhe kanë bërë testime që sa më parë të kryejmë këtë punë”, thonë nga Qendra për shëndet publik në Tetovë.

Qytetarët nga ana tjetër thonë se duhet që të testohet e tërë popullata që më lehtë të identifkohen personat e infektuar dhe të mos paraqesin rrezik për të tjerët. Sipas tyre, problem është se shumë pak qytetarë i respektojnë masat për mbrojtje.
“Shumë pak respektohen masat, shohim shumë njerëz që e neglizhojnë këtë pandemi. Nuk mbajnë maska, nuk dezinfektohen, qëndrojnë në grupe, sidomos të rinjtë. Prandaj edhe jemi në këtë situatë ku çdo ditë rritet numri i personave të infektuar me këtë virus”, thotë Ademi, një banorë i Tetovës.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi thotë se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm. “Apelojmë deri tek të gjitha institucionet që bëjnë dializë në Republikën e Maqedonisë së Veriut që në bazë të vendimit të fondit të shëndetësisë të kryejnë edhe transportin e pacientëve pozitiv me COVID19 nga shtëpitë e tyre deri tek kapacitetet mjekësore të dializës dhe anasjelltas.

Jemi të vetëdijshëm se karantinimi dhe izolimi i gjatë ka lënë pasoja të përgjithshme dhe ekonomike tek të gjithë qytetarët, andaj sugjerojmë që qytetarët të fillojnë risocializimin, duke pirë një kafe me miqtë, apo familjarët, të praktikojnë ecje në natyrë, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm dhe duke respektuar distancën fizike dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse” thotë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Institucionet përgjegjëse çdo ditë apelojnë që të respektohen masat kundër këtij virusi, ndërsa duhet që qytetarët të mësohen të jetojnë me këtë pandemi. Masat kundër kësaj pandemie vazhdojnë që të mos respektohen në vendbanimet rurale ku shumë pak qytetarë mbajnë maska kur qëndrojnë në hapësira publike. Këta banorë injorojnë apelet e vazhdueshme të komisionit për sëmundje infektive duke mos besuar aspak se një pandemi e rrezikshme është në mesin e tyre. (koha.mk)