Tetovë, interesim i madh për tu vaksinuar (VIDEO)

Interesimi i madh i banorëve të Tetovës për tu vaksinuar ka shkaktuar sot kaos e radhë të gjata para pikës së vaksinimit në këtë qytet. Qytetarët e anketuar thonë se kanë pritur madje deri në dy orë pas terminit të caktuar.

“Në 10.35 e kisha terminin, tani ora është 11.54 dmth gati një orë e gjysmë kam pritur. Kishin arsye na thanë se ka ra sistemi diçka”
“Terminin e kam pasur ne 8.45 janë vonuar, tash ora është 10.30 – 11. Se di pse u vonuan, për disa shkaqe, probleme te ndryshme. Kanë pas këtu probleme te sistemit thanë”
“Ka pak vonesa nja një orë jo shumë”

“Pritem pak, sistemi nuk punonte nja 20 minuta”
“Nuk punonte sistemi, një orë e gjysmë prita, vonesë kishte”
“Ne kemi ardhur në kohë por termin s’di për çfarë arsye nuk janë në kohë. Problemi është gjysmë ore. Ne e kemi në ora 12 ndërsa këto i thirrin tash ata që kanë qenë në 11.30 nga gjysmë ore mund të arrijë deri në 1 orë”
Autoritetet thanë se kanë pasur problem me sistemin elektronik “Termini Im”. Nga Shtëpia e Shëndetit në Tetovë një pjesë të fajit ia hedhin edhe banorëve për të cilët thonë se vijnë para terminit të caktuar.

‘Ka mbi 1500 qe janë vaksinuar dhe sot presin për rivaksinim. Qytetarët duhet te mbajnë radhën plus vijnë ata që e kanë terminin ne ora 6 ose 7. Vinë herët në mëngjes dhe ajo është një nga shkaqet kryesore të kaosit. 5 minuta deri 10 sistemi kishte rënie nuk ishte më tepër”- deklaroi Drita Ziberi, Moter kryesore në Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë
Brenda një dite në qytetin e Tetovës dhe fshatrat përreth vaksinohen deri në 2 mijë qytetarë. Për shkak të rritjes së interesimit për vaksinim, autoritetet shëndetësore lokale njoftuan se nga dita e hënë vaksinimi dhe rivaksinimi do të realizohet në sallën e sportit të Shkollës së mesme të Mjekësisë.