Tetovë, iftare falas për studentët dhe skamnorët! Solidarizohet edhe një furrë e cila jep bukë falas (VIDEO)

10 vjet me radhë, çdo ditë të Ramazanit shoqata Agimi bamirësisë jep së paku nga 1100 iftare për skamnorët dhe studentët. Ushqimi përgatitet në kuzhinën e kësaj shoqate, ndërsa sigurohet nga disa donatorë. Procesi ecën në tre faza edhe atë në përgatitje, paketim edhe shpërndarje në mënyrë që ushqimi të jetë sa më i ngrohtë për agjëruesit.

“Kemi filluar me 800 iftare, ndërsa mbrëmë kishim 1130 iftare. Duke marr parasysh se kemi shumë kërkesa dhe shumë nevojtarë që nuk mund t’i mbulojmë për shkak të kushteve që i kemi në kuzhinë dhe mbi 1100 iftare nuk mund t’i përgatisim. Ne synojmë që këtë numër të mund ta mbajmë deri në fund të muajt të ramazanit”, tha Ekrem Rufati nga Shoqata Agimi Bamirësisë.

Një vakt kushton 150 denarë, ndërsa të gjithë ata që duan të ndihmojnë, atë mund të bëjnë në këtë shoqatë. Kjo shoqatë jo vetëm për ramazan, por çdo ditë ushqen nga 250 studentë.
E nga ana tjetër është edhe një furrë në Tetovë e cila jep bukë falas gjatë muajit të Ramazanit.

“Nuk paguhet buka për skamnorët. Ai që nuk ka me ble gjatë gjithë ramazanit, por edhe ata pas ramazanit që kanë nevojë edhe pa ramazan dhe kjo iniciativë është nga kur është hapur kjo furrë , por për ramazan që japim bukë gatis është viti pestë mos gabofsha”, tha Kurtish Hodai, pronar fure.
Iniciativa në këtë furrë është duke u përkrahur nga banorë human që jetojnë në lagjen Drenovec. Iniciativa për iftare gatis, bukë edhe produkte ushqimore ka thuajse në gjitha vendbanimet e Tetovës.