Kjo është shkolla fillore “Istigball” në Tetovë. Njëra ndër shkollat më të populluara me nxënës. Ashtu sikurse në gjitha shkollat e tjera fillore ku mësimi filloi me prezencë fizike, edhe në këtë shkollë, nxënësit mezi prisnin të ulen në bankat e shkollës.
“Nën masa të rrepta anti covid, me dezinfektues tek dera, maska për ata që eventualisht kanë harruar të marrin dhe aparat për matjen e temperaturës. Kështu kanë filluar mësimin sot mbi 10.000 nxënës në qytetin e Tetovës”.
“Ne i ndërmorëm të gjitha masat dhe jemi duke e respektuar protokollet, dhe sot me ndërrimin e paradites ishin prezent 475 nxënës dhe mësimi filloi në orën 7 e 30. Problem tjetër nuk kemi pasur, prindërit ishin të kujdesshëm dhe nuk tentuan që të futen brenda”- deklaroi Rexhep Halili, Drejtor i SH F “Istigball.
Përgjegjësi për Arsim në komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi, theksoi se respektimi i protokolleve është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Është vështirë që të mbahet distanca mes nxënësve sepse një vit e gjysmë s`janë takuar, dhe është vështirë ai afirmimet mos ekzistoj mes nxënësit dhe mësimdhënësit mos shprehet mes tyre, mirëpo në këtë situatë për të mbrojtur shëndetin tonë, duhet që një periudhë deri sa janë masat të distancohemi nga kontaktet fizike të rrimë me maska dhe të ruajmë distancën”
Edhe në Gostivar, procesi mësimor me prezencë fizike për nxënësit e shkollave fillore ka vijuar pa pengesa. Drejtori i Ndërmarrjes publike thotë se në kohë është bërë dezinfektimi i shkollave si brenda edhe jashtë tyre.
“Normal ne si ndërmarrje publike i kemi marr gjitha masat dhe punojmë me turne për të pastruar gjitha oborret e shkollave dhe larjen dhe aty ku mund të bëjmë edhe dezinfektimin jo vetëm shkollat por edhe objektet kolektive”.
Prindërit pajtohen se protokollet duhet të respektohen dhe kërkojnë nga mësimdhënësit kujdes të shtuar.
“Ka pak stres se fëmijë janë dihet, po shpresojmë do ia dalim. Koha e pandemisë e bën të vetën pak problem do jetë por do shohim”.
“Duhet të jetë kujdes i madh sepse për pasur kujdes fëmijët s`ka shans. Grumbullimi i tepërt është, s’ka mundësi për të pasur kujdes”.
Ndryshe nga shkollat fillore, shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar mësimin e nisën online. Mësimi në këtë mënyrë do të zhvillohet të paktën 14 ditë, në varësi nga gjendja epidemiologjike. Javën e parë mësimin online do ta zhvillojnë edhe shkollat e mesme në Strugë dhe Kërçovë.