Tetovë, fëmijët 14-vjeçarë konsumues të marihuanës

TV21 mëson se në vitin 2022 jashtë hapësirave të shkollave fillore në Tetovë janë kapur rreth 30 nxënës duke përdorur lëndë narkotike. E disa prej tyre janë kapur dhe duke shitur. Është shqetësues fakti se ky numër sa shkon e rritet, thonë nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Tetovë, ndërsa bëhet fjalë për fëmijë të moshës 14 vjecare.

“Për fat të keq në Tetovë mosha mesatare e fëmijëve të kapur me drogë po shkon duke u bërë më e re. Kohëve të fundit kemi fëmijë të zënë me disa gram marihuana që do të thotë se kanë filluar edhe ta shesin drogë. Dhe me keqardhje them se është në rritje numri nën moshën 14 vjeçare. Më parë përdorues të drogës ishin fëmijë të shkollave të mesme, nga klasa e 9-të që provojnë drogë, por kohëve të fundit mesatarja e moshës ka rënë dhe janë fëmijë nën moshën 14 vjeçare. Edhe ata që ju japin drogë të shesin, i keqpërdorim pasi që mendojnë se fëmijët nën moshën 14 vjeçare nuk i zë ligji që nuk është ashtu.”- deklaroi Olivera Svetkovska – psikologe në Q.P.P Sociale.
Nga Qendra e Punë edhe Politikës Sociale thonë se shumica e fëmijëve që shesin drogë, njëkohësisht edhe e përdorin.
“Të gjithë fëmijët që sheshin drogë, të njëjtët edhe e konsumojnë, Për shkak se ata, për të shitur 3-4 pako marihuanë, një pako u vjen gratis. 90 % të fëmijëve që shesin edhe janë konsumues. Unë 30 vite punojë me këtë punë. Më parë shumë familje kërkonin ndihmë për ata që përdorin heroin, por ishin për njerëz të rritur. Tani i zbulojmë fëmijët përmes policisë . Shumë e kemi të përhapur drogën në shkollat fillore, në oborret e tyre.”- pohoi Olivera Svetkovska – psikologe në Q.P.P Sociale.
Nga sektori për veprimtari komunale thonë se në shkollat e mesme edhe fillore në Tetovë në hapësirat e shkollës nuk është hasur ndonjë nxënës duke konsumuar lëndë narkotike.
“Nuk kemi ndonjë rast konkret të paraqitur që nxënësit janë kapur me lëndë narkotike, ndërsa jashtë hapësirës shkollore drejtorët e shkollave apo të punësuarit e shkollës nuk kanë mundësi t’i ndjekin nëse ndonjë nxënës posedon lëndë narkotike.”- tha Nazmi Dauti – Sektori për Veprimtari Komunale.
Avokati Ibarhim Bajarami thotë se ligji në këtë aspekt është i butë, pasi parasheh vetëm masa qortuese dhe vetëm nëse fëmija e përsëritë veprën, merren masa edukative nga Qendra për Punë Sociale.
“Në qoftë se personi i mitur kapët në flagrancë duke poseduar mjet narkotik me qëllim shitjes së sajë, si pasojë dënimi, kemi masa alternative qortimi. Si masë të shtuar kemi mbikëqyrje të shtuar nga prindërit, kurse për rastet ku kemi të bëjmë me përsëritje të rasteve të njëjta, si masë e veçantë e shqiptuar nga gjykatësi për fëmijë, është masa alternative mbikëqyrja e fëmijës nga punëtorët social, të cilët fëmijën e nënshtrojnë në programin e posaçëm”- tha Ibrahim Bajarmi – avokat.

Në bazë të dhënave të siguruara nga Televizioni 21 në Tetovë gjatë vitit që lamë pas rreth 6 fëmijë të gjinisë femërore janë zënë me lëndë narkotike kokainë. Fatkeqësia është se rastet deri më tani janë zbuluar vetëm nga organet e rendit, ndërsa prindërit dhe shkollat i fshehin rastet e tilla me qëllim që të mos prishet imazhi i familjes, por edhe institucionit.