Tetovë: Dha ryshfet 350 euro për lejen e vozitjes, e raporton rastin në polici pasi u mashtrua


Një 38 vjeçar banor i rrethinës së Tetovës i ka dhënë 350 euro një gruaje e cila pretendonte se do ta “ndihmonte” në provimin e lejes për vozitje, ndërsa pasi ajo e mashtroi, ai e kishte denoncuar rastin në polici.

“Me datë 06.06.2023 në ora 14:00 në SPB Tetovë, A.R.(38) ka raportuar se është mashtruar nga një grua për shumën prej 350 euro. Sipas denoncimit, janë marrë vesh me gruan, punonjëse e autoshkollës, që ajo ta ndihmonte në dhënien e provimit për vozitje, por marrëveshja nuk ishte përfunduar, pas së cilës ajo nuk iu përgjigj telefonatave të tij dhe ai e kuptoi se ishte mashtruar”, tha policia.

Në njoftimin e shkurtër nga MPB nuk ka informacione nëse kallëzuesi do të mbajë përgjegjësi për veprën që ka pranuar me vetë kallëzimin – se ka dhënë ryshfet, por thuhet se policia po punon për zbardhjen e rastit.