Tetovë, Bulevardet shndërrohen në parkingje

Problemet në rrugët e qytetit të Tetovës janë të shumta. Por,dukuria e parkimit përgjatë bulevardeve assesi të evitohet. Përderisa bulevardet janë ndërtuar me dy korsi që qarkullimi i automjeteve të jetë pa pengesa, korsia e dytë në shumë bulevarde apo rrugë shfrytëzohet për parkim.
Krahas parkimit në shumë pjesë të qytetit të Tetovës, korsia e dytë shfrytëzohet nga automjetet e rënda të cilët shkarkojnë mallra në marketet e mëdha dhe të vogla. Tërë kjo situatë ndikon negativisht në tërë komunikacionin rrugor në Tetovë. Pjesa më problematike paraqitet në bulevardin “V.S. Bato” apo i njohur si bulevardi në rrugën “Industriale”.

Në këtë bulevard, vozitësit në vend se të shfrytëzojnë dy korsi, ata janë të detyruat të lëvizin në njërën prej saj, sepse korsia tjetër gjithnjë është e bllokuar nga vetura të parkuara, por edhe kamion që sjellin mallra për dyqanet e ndryshme.
Kjo situatë rëndohet edhe më shumë kur dihet se bulevardi në rrugën “Industriale” është nyja kryesore për dalje nga Tetova në drejtim të Shkupit, Gostivarit dhe aksit rrugor për në Jazhincë. Situata më e rëndë paraqitet nga unaza në hyrje të qytetit të Tetovës deri tek udhëkryqi për në rrugën e Spitalit Klinik të Tetovës.

Nga pushteti lokal në Tetovës thonë se bulevardi i ri shumë shpejt do të lëshohet në përdorim pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për pranim-dorëzim dhe në koordinim me policinë rrugore, do të ndalohet lëvizja e automjeteve të rënda në pjesën qendrore të Tetovës.

“Të gjithë ata që kryejnë ngarkim-shkarkim të mallrave duhet të pajisen me leje adekuate dhe kjo procedurë duhet të kryhet nga ora 18 pasdite deri në orën 9 të mëngjesit”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Pas ndërtimit të bulevardit shtesë në rrugën “Industriale”, pritjet ishin se komunikacioni do të zhvillohej pa pengesa, por edhe një pjesë e këtij bulevardi është duke u përdorur si vend parkim. Njëra korsi edhe në këtë pjesë të bulevardit të ri të sapondërtuar është duke u shndërruar në vendparkim.