Tetovë, autobusët do të kushtojnë 1,2 milion euro, sot është hapja e ofertave për kompanitë

Sot është hapja e ofertave për kompanitë të cilat pretendojnë ta furnizojnë Komunën e Tetovës me pesë autobusë, në qoftë se procedurat shkojnë sipas rrjedhës së planifikuar, sipas Arifit, deri në vitin e ri tetovarët do të kenë autobusët në dispozicion. Këta autobusë qytetarëve të Tetovës ju kanë kushtuar gjithsej 1,2 milion euro. Për të mbuluar kostot e pesë autobusëve të Komunës së Tetovës, nga kjo komunë kanë siguruar mjetet përmes linjave kreditore, bëhet fjalë për një shumë prej 72,5 milion denarëve.

“Mjetet janë siguruar përmes linjave kreditore, duke e parasysh se nuk kishim mundësi të investojmë për aq autobusë sa na duheshin. Bëhet fjalë për 72,5 milion denarë për autobusë” theksoi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës. Arifi është optimiste se kontrata për autobusët do të nënshkruhet para vitit të ri.

“Ne jemi në procedurë të furnizimit, kemi pasur procedurë e cila është ripërsëritur pas vlerësimeve të komisioneve dhe këshilltarëve të bankës botërore, ne vlerësojmë që deri në vitin e ri, para vitit të ri do të mbaroje i gjithë procesi i furnizimit, në ndërkohë është duke u realizuar edhe vënia komplete në funksion e ndërmarrjes së transportit publik e cila më pas do të menaxhoje me procesin e funksionimit të këtyre autobusëve, është një projekt i cili me ndihmën e bankës botërore dhe me angazhimin e plotë të administratës tonë dhe administratës bankës botërore, do të jetë në të mirë për qytetarët” tha Teuta Arifi.

Rikujtojmë se deri në këtë fazë edhe herën e fundit arriti komuna e Tetovës dhe më pas dështoi, me arsyetimin se asnjë nga kompanitë ofertuese nuk i kishte plotësuar kushtet për të fituar tenderin përkatës.

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“, ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës në shtator të këtij viti për herë të dytë e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”, pasi e para nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës, kurse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, u votua edhe statuti i kësaj ndërmarrje.