Tetovë, asnjë masë kundër ndotjes së ajrit

Sektori civil në Tetovë kritikon ashpër komunën për mos ndërmarrjen e asnjë hapi për zbutjen e ndotjes së ajrit. Tetova, tre ditët e fundit është ndër qytetet më të ndotura në vend, duke u tejkaluar katër herë më shumë prezenca e grimcave PM10 për metër kub. Komuna sipas tyre mbeti e shurdhër pavarësisht alarmimit të situatës edhe nga Ministria e Mjedisit.

Ata kërkojnë edhe dorëheqjen e kryetares së Komunës Teuta Arifi, për shkak të siç thonë paaftësisë për të zgjidhur problemet e qytetarëve.

Si duket, komuna e Tetovës nuk ka asnjë ide se si ta ul nivelin e ndotjes. Në vend që komuna të harxhojë para për punësimet të reja, edhe ashtu për administratën më të mbingarkuar në Maqedoni, për seminare, udhëtime, koncerte, ndihma financiare jo transparente, financat ka mundur t`i orientojë në zgjidhjen e këtij problemi me të cilin po ballafaqohet ky qytet.. Nëse jeni e pa aftë të ballafaqoheni me këto probleme, atëherë jepni dorëheqje – deklaroi Narta Kasa, Lëvizja Nëna dhe Fëmija.

Nga ana tjetër nga Ekoguerilla, ka kërkuar nga Komuna që të japë llogari se ku harxhon paratë e qytetarëve si dhe të tregojë borxhin real që e ka komuna dhe ndaj kujt.

Ditët e fundit përfolet për keqpërdorime të mëdha financiare dhe jotransparencë. Prandaj që të mos krijohen keqinterpretime të mundshme, në të mirë të qytetarëve dhe vet komunës, ne kërkojmë që të bëhet revizion i pavarur për të parë gjendjen reale në detaje, ku qytetarët e Tetovës do të informohen hapur se sa borxh ka Komuna – u shpreh Arianit Xhaferi, Eko Guerrila.

Të pyetur për problemin në fjalë nga komuna e Tetovës, kanë refuzuar të komentojnë akuzat e dy organizatave, Nëna dhe Fëmija dhe Eko Guerilla.