Tetovë: Apelohet për respektim të masave!

Mbetet numri i njëjtë i të infektuarve ditë më parë – 176, prej tyre 80 janë shëruar dhe 16 kanë ndërruar jetë.

Nga Shtabi i Krizës në Tetovë kanë theksuar se rastet pozitive të ditëve të kaluara ishin për shkak të kontakteve me të infektuar, prandaj apeluan te qytetarët që të ruajnë distancën sociale.

“Të dhënat flasin se rastet e reja të infektimit me COVID-19 janë kryesisht nga kontaktet me persona të infektuar, andaj edhe njëherë apelojmë që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, duke ruajtur distancën fizike dhe duke mbajtur maska mbrojtëse.”,- u shpreh kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Arifi njëherit kërkon që në ditët në vijim të hiqet ndalesa për transportin publik.

“Komuna më datën 13.05.2020 ka dërguar në qeveri kërkesën për heqjen e ndalesës për transport të organizuar në rajonin e komunës së Tetovës, por një vendim i tillë akoma nuk është miratuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive dhe presim që kjo të ndodhë ditët në vijim.”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Në Tetovë po realizohet testimi i të punësuarve në çerdhe, si parapërgatitje për hapjen e çerdheve. Paralelisht me këtë shërbimet komunale kanë filluar me dezinfektimin e hapësirave të brendshme dhe të jashtme në objektet e çerdheve.