Tetovë, 43 shkolla fillore u furnizuan me audio librat e parë në gjuhën shqipe


Projekti për krijimin e audio librave për fëmijët me disleksi, u vu në shërbim të nxënësve. Me mbështetjen financiare të Maarif International Schools Macedonia, u përshtatën 16 lektyra shkollore dhe u furnizuan 43 shkolla fillore në rajonin e Tetovës.

Përmes këtij projekti synohet përfshirja e plotë e nxënësve me disleksi në procesin arsimor.
Pas disa muajsh punë dhe lexim në studio nga katër anëtaret e Klubit të Librit në Tetovë, nxënësit me disleksi në 43 shkolla në rajonin e Tetovës tani kanë qasje në 16 audio lektyra shkollore. Udhëheqësja e këtij projekti, edukatorja speciale Siëndrra Mehmeti u shpreh se dëshiron të sheh fëmijë të cilët korrin sukses pavarësisht pengesave që mund të kenë.
“Kjo përvojë për mua dhe mikeshat e mia Ajnur Ismaili, Valbona Ramadani dhe Rrezearta Elezi ka qenë jashtëzakonisht përmbushëse për faktin që angazhimi ynë do të mund t’u ndihmojë nxënësve me disleksi gjatë procesit të mësimit. Unë dua të shoh fëmijë të cilët pavarësisht pengesës që mund të kenë, arrijnë të korrin sukses dhe të jenë të pavarur, sepse ata që sot janë femijë të lumtur dhe të përmbushur, nesër bëhen të rritur të lumtur dhe të përmbushur, që do të duan të punojnë fort që secili individ i shoqërisë të lulëzojë.” shkroi Siëndrra Mehmeti.

Ajnur Ismaili e cila me profesion është psikologe theksoi se numri i fëmijëve me disleksi në Maqedoninë e Veriut nuk është i vogël ndërkaq sipas saj, ata përballen me vështirësi të mëdha gjatë procesit arsimor, madje edhe me mungesë të mjetit elementar për mësim për ata, librit audio.Kjo do të mundësonte që ata të përfshihen në mënyrë të plotë në procesin arsimor që do të ndikonte në suksesin shkollor, pas kësaj ka edhe përfitime të mëdha psikologjike dhe emocionale, rritja e vetëbesimit, ndjenja e të qenurit i përfshirë dhe i inkuadruar” tha Ismaili. Ndërsa mjekja Rrezearta Elezi tha se ideja është implementimi i një projekti i cili do të ju mundësojë fëmijëve me disleksi që të bëjnë leximin e librave shkollor, kemi siguruar nga shtëpitë botuese libra për nxënësit nga klasa e dytë deri në klasën e pestë.Ky projekt u financua nga Fondacioni Maarif, udhëheqëse në këtë projekt është Siëndrra Mehmeti e cila së bashku me Rrezearta Elezin, Ajnur Ismailin dhe Valbona Ramadanin bënë regjistrimin e librave në studion e Radio RED.