Tetovari Omer Xhemali do të drejtojë Klinikën e Kirurgjisë së zemrës në Zürich

Tetovë, Sarajevë, Frankfurt, Zürich: Në biografinë e dr. Omer Xhemalit pasqyrohet një pjesë e historisë së shqiptarëve të Ballkanit. Nga 1 shtatori ky mjek shqiptar do të udhëheq njërën prej klinikave më të rëndësishme të sëmundjeve të zemrës në Europë – klinikën e spitalit Triemli në Zürich.

Kur babai i Omer Xhemalit u përpoq ta regjistrojë të birin e tij në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitet ’80, dekani maqedonas i kërkoi një favor. Ky favor quhej: një veturë «Golf». Prindërit e Omer Xhemalit ishin arsimtarë, ata arsimonin dhe edukonin brezat e rinj – dhe nuk pranuan të paguajnë ryshfet, sepse kështu do të ishin shembull i keq. Kjo përvojë e pakëndshme me burokracinë e Shkupit ndikoi që Omer Xhemali të kërkojë një vend tjetër për të studiuar mjekësinë: shkoi në Sarajevë, një qytet i hapur edhe për studentë shqiptarë.

Por, sapo filloi studimet, kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës u rrethua nga forcat serbe. Omer Xhemali përjetoi përpjekjet e fundit të qytetarisë së Sarajevës për të mbrojtur qytetin, edhe vetë mori pjesë në protestat paqësore kundër luftës. Kur lufta u bë realitet i përgjakshëm, ai u largua nga Sarajeva – me një avion të OKB-së. Në avion s’kishte më vend për t’u ulur dhe mjeku i ardhshëm qëndroi në këmbë.

Nga 1 shtatori i këtij viti dr. Omer Xhemali, njëri prej kirurgëve më të njohur të zemrës në hapësirën gjermanofone, do të drejtojë Klinikën e Kirurgjisë së Zemrës në Spitalin Triemli në Zürich. Këtë e ka bërë të ditur gazeta «Tages Anzeiger» në numrin e së hënës. Nga fshati Tearcë e Tetovës, ku u lind para 48 vitesh në një familje arsimtarësh, deri te posti më i rëndësishëm i kirurigjisë së zemrës në Zürich ishte një rrugë e gjatë, e cila e pasqyron një pjesë e historisë së shqiptarëve të Ballkanit.

Pas Sarajevës Xhemali studioi mjekësinë në Universitetin Johannes Gutenberg në Mainz (mes viteve 1993-2000). Po në vitin 2000 u promovua si doktor i mjekësisë me vlerësimet më të larta – magna com laude. Mes viteve 2001-2009 dr. Omer Xhemali punoi si mjek specialist i sëmundjeve të zemrës në njërën prej qendrave më të mira të mjekësisë në Europë, në Universitetin Johann-Wolfgang-von-Goethe në Frankfurt, ku, mes tjerash, mori titujt kryemjek dhe docent privat.

Që nga viti 2009 Xhemali punon në Zürich si zëvendësdrejtor i Klinikës së Zemrës. Ai është anëtar i disa shoqatave të rëndësishme të sëmundjeve të zemrës dhe është shpërbyler me çmime të rëndësishme mbi hulumtimet shkencore. Deri në vitin 2016 ai ka publikuar mbi 60 punime në revista ndërkombëtare me impakt të lartë shkencor. Në vitin 2015 Universiteti i Tetovës i ka akodruar dr. Omer Xhemalit titullin «doktor nderi».