Tetovari dyshohet për tentativë për vrasje / Viktima nuk pranoi t’i jepte para, më pas u godit me thikë

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër personit 19 vjeçar i cili dyshohet se ka kryer vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentativë) të Kodi Penal, përcjell TV21.

Më 7 janar, i dyshuari e ka takuar viktimën në orët e hershme të mëngjesit dhe më pas kanë shkuar në një kazino në fshatin Zhelinë. Në kazino i ka kërkuar viktimës 50 euro të cilat i ka shpenzuar menjëherë. Më pas kanë shkuar në një kazino në fshatin Zherovjanë, ku edhe atje i ka kërkuar dhe i ka marrë viktimës 50 euro. Kur është kthyer i nervozuar në veturë, i dyshuari i ka kërkuar viktimës përsëri para, por ai nuk ka pranuar t’ia japë.

Në atë moment i dyshuari ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka kërcënuar. Viktima sërish ka refuzuar t’i japë paratë dhe i ka thënë të dalë nga automjeti i tij, pas së cilës i dyshuari e ka goditur me thikë disa herë në bark dhe në gjoks. Viktima ka zbritur menjëherë nga vetura dhe ka filluar të vrapojë, ndërsa i dyshuari ka vrapuar pas tij me thikë në dorë. Ai e kapi atë dhe i dha disa goditje të tjera në shpinë dhe në kokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën.

Viktima është rrëzuar përtokë dhe i ka dhënë të gjitha paratë që kishte me vete – rreth 300 euro, pas së cilës i dyshuari ka ikur.

Prokurori publik kompetent gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë i ka dorëzuar propozimin për të dyshuarin për caktimin e masës arrest shtëpiak dhe masën e konfiskimit të dokumenteve të udhëtimit dhe të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.