Tetovarët do të marrin poena nëse kafshohen nga qentë endacak, më pas në bazë të tyre do t’u jepet dëmshpërblim

Nëse ju kafshon një qen endacak në Tetovë, duhet të merrni rregulloren e lëshuar nga Komuna e Tetovës dhe sipas saj të përcaktoni se sa pikë do të merrni, në bazë të të cilave do të kompensoheni. Për një kafshim do të merrni nga pesë deri në 15 pikë, në varësi të asaj se sa është plaga. Nëse ju kanë kafshuar një ose më shumë, ju merrni përsëri pesë deri në 15 pikë. Një numër i ndryshëm pikësh jepen si për madhësinë e frikës së pësuar ashtu edhe për pasojat e kafshimit.

Kjo është vetëm një pjesë e rregullores së Komunës së Tetovës, e cila përcakton kriteret për lartësinë e kompensimit që do të marrin qytetarët pas kafshimit nga qentë endacak, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas rregullores, çdo qytetar i kafshuar do të marrë propozim zgjidhjeje dhe mundësi për kompensim nga minimumi 30.000 deri në maksimum 100.000 denarë.

Pagesa do të jetë nga buxheti i komunës, ndërsa shuma do të përcaktohet nga Komisioni i posaçëm për kompensimin e dëmit, ku përveç punonjësve të komunës, ka edhe një traumatolog dhe një psikiatër.

“Rregullorja në të cilën shpjegohet e gjithë procedura është publikuar në faqen e komunës, së bashku me kërkesën që i dëmtuari të plotësojë dhe ta dorëzojë përmes arkivit në Komisionin për trajtimin e kërkesave për kompensim dëmi. Me këtë Komuna e Tetovës i përgjigjet qytetarëve, pasi procedura për raste të tilla thjeshtësohet dhe zvogëlohet, gjegjësisht shmangen shpenzimet gjyqësore, si dhe shpenzimet e përmbaruesve, avokatëve e kështu me radhë”, tha Milena Vuçevska nga zyra për marrëdhënie me publikun e Komunës së Tetovës.

Komuna e Tetovës nuk bën të ditur se sa para u janë paguar deri më tani qytetarëve që e paditën komunën për shkak se janë kafshuar nga qentë endacak. Kjo pagesë deri më tani ka kaluar përmes Ndërmarrjes Publike, e cila prej kohësh është në krizë financiare dhe me xhiro llogari të bllokuar, ndaj shumë tetovarë janë në pritje të pagesës, ndërsa për disa prej tyre ende janë duke vazhduar seancat gjyqësore.

“Vitin e kaluar në shkurt, kur po dilja nga vendi i punës, më kafshoi në këmbë një qen endacak. Kishte një tufë të tërë qensh. E kam paditur komunën, por ende nuk ka zgjidhje përfundimtare të pagesës. Unë e fitova kontestin, më dhanë kompensim prej rreth 90.000 denarëve, por komuna u ankua dhe tani kontesti është në ankesë”, thotë Ana Marija Blazevska, banore e Tetovës.