“Tetova qytet i rrezikuar epidemiologjik”, Gostivar, nga 4 të infektuar 3 prej tyre personel mjekësor

Tetova vazhdon të ngelet qytet jo i sigurt epidemiologjik, pasi qytetarët nuk i respektojnë siç duhet masat e qeverisë, rekomandimet për ruajtjen e distancës dhe masat e vetë izolimit. Kështu thonë nga Instituti për shëndetit publik në Tetovë, nga ku apelojnë tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm.

“Qyteti I Tetovës është shndërruar në qytet jo të sigurt epidemiologjik për të jetuar, pasi që qytetarët nuk i respektojnë udhëzimet e dhëna nga ministria e Shëndetësisë, nuk respektohen masat për distancë sociale dhe vetizolimi”, tha Zorica Zafirovska, mjeke.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se deri më tani kanë intervenuar në disa raste për të shpërndarë qytetarët që kanë qenë të grumbulluar në turma për ruajtjen e distancës sociale.

Ndërsa nga komuna e Tetovës edhe një herë kanë përsëritur kërkesën e tyre për Bankën popullore që të dalë me vendim për të moshuarit rreth marrjes së pensionit nga shtëpia.

“Të gjitha bankat komerciale në Komunën e Tetovës të adaptojnë orarin e punës në këtë gjendje të jashtëzakonshme, dhe të gjejnë modus për pagesën e pensioneve me qëllim që të moshuarit të mos grumbullohen para pikave pagesore. Gjithashtu bankat detyrimisht të angazhojnë shërbime për mbajtjen e rendit me qëllim respektimin e distancës sociale mes qytetarëve në objektet bankare”, tha Teuta Arifi, Kryetare Tetovës.

Në komunën e Tetovës dhe komunat e tjera përreth sot janë evidentuar edhe 4 raste të reja me COVID – 19 me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve është bërë 37, prej të cilëve deri më tani 4 kanë ndërruar jetë, nga ku dy prej tyre janë personel mjekësor.

Nga komuna e Gostivarit thonë se gjendja është stabile por serioze, deri më tani janë të infektuar 4 qytetarë, prej te cilëve tre janë personel mjekësor. Drejtori i spitalit të Gostivarit thotë se deri më tani janë testuar 143 persona, prej të cilëve 45 janë personel mjekësor.

“Nga këto punonjës shëndetësor 36 raste janë negative, tre kanë dalë pozitive për fat të keq dhe gjashtë janë në pritjeve të rezultateve”, tha Jakup Jakupi, Drejtor i Spitalit të Gostivarit.

Në karantinë shtetërore në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit janë gjithsej 142 persona të cilët janë vendosur në hotele, në Kodrën e diellit dhe Mavrovë.