Tetova po infektohet, doktor Disha ka një mesazh


Liridon Disha

Të dashur miq e bashkëqytetarë/e,

Situata me pandeminë në komunën tonë nuk është duke shkuar më së miri. Kjo për shkak të mosrrespektimit të rekomandimeve tona. Për shkak të humbjes së besimit në lajmet e vërteta dhe kirjimit të bindjeve të pabazuara në fakte. Jemi sot dëshmitarë të përhapjes së ngutshme të infeksionit për fajin tonë. Sepse ne nuk iu përmbajtëm rregullave. Sot jemi në situatë, të cilën nuk do të donte asnjë qytetar ta përjetojë. Kemi dhjetëra burime infeksioni, e qindra të infektuar.

Dikush prej jush do thotë :” Ishim në karantinë për dy muaj”, por une po ju them se JO NUK ISHIM. Karantina nuk nënkupton lëvizje të lirshme të qytetarëve pa maska, grumbullim para bankave, organizime e grumbullime familjare, shëtitje prej fshati në fshat e prej fshati në qytet dhe anasjelltas. Nuk nënkupton as grumbullim nëpër kafene të improvizuara pas kohës së iftarit dhe qëndrim aty deri në syfyr. Nuk nënkupton dalje në shëtitje pas orës policore. Nuk nënkupton as turma fëmijësh në orë policore jashtë deri në orët e hershme të mëngjesit. Nuk nënkupton as vizita tek familjarët. Karantinë nënkupton mbyllje e çdo aktiviteti për një kohë të caktuar dhe izolim në shtëpi. Për fat të keq, këtyre masave neve nuk iu përmbajtëm dhe sot dhe ditëve në vazhdim do t’ua shohim pasojat.

Më meritorët për këtë gjendje, pa dyshim, janë injorantët të cilët bënin thirrje të vazhdueshme për mosrrespektim të masave. Kopracët, të cilët përveç biznesit të tyre nuk u interesonte asgjë tjetër. Janë sharlatanët, që postonin lajme të rreme çdo ditë për të përfituar ndonjë LIKE. Janë MUNAFIKËT, të cilët gënjenin rrethin se nuk janë të infektuar, kur në fakt ishin! Jane edhe mjekët të cilët punuan nëpër shtëpitë e tyre pa asnjë kriter, me qëllimin e vetëm, PARANË! Janë, të gjithë ata të cilët në një formë ose në tjetrën, me ose pa qëllim, ndihmuan në përhapjen e pandemisë.

E kishim shancën të kalojmë me shifra shumë të vogla, mirëpo arritëm të krijojmë gjendje kaotike. E kishim shancën ta tejkalojmë pandeminë siç e kaluan shumë qytete tjera dhe sot të bëhemi gati për bajram. Këtë shancë e shpërdoruam sepse i dëgjonim ata që janë më së pakti kompetent për të folur për sëmundjet infektive. E te gjithë ne kemi shumë të tillë në rrethin tonë.

Ajo që më mbetet t’u them është RUAJENI VETEN DHE FAMILJEN TUAJ. Nëse ende nuk besoni në ekzistencën e virusit, pyesni ata të cilët i humbën më të dashurit e tyre në këtë luftë sa tinzare, aq edhe të padrejtë. Pyesni ata të cilët e kapërcyen sëmundjen.
Po të mos i besoni edhe këta, atëherë kthehuni kah feja dhe pyesni çfarë tha profeti Muhamed për epideminë. E nëse ai besoi në përhapje infeksioni, kush jeni ju ta mohoni atë? Kush u jep juve njohuritë hyjnore ose shkencore të vlerësoni ose jo, të gjykoni ose jo, një fenomen që është i pranuar edhe shkencërisht, por edhe spiritualisht (fetarisht). Po të jetonim në kohën e Profetëve tanë (të cilit do Profet), jam i bindur se me gjithë inspirimin dhe inicimin e tyre hyjnor, ata sërish do t’i dëgjonin mjekët. Sepse edhe Zoti, në cilin do libër hyjnor, i obligon njerëzit QË MOS TË FLASIN PËR GJËRA QË NUK I DIJNË DHE TË PYESIN PËR GJERAT QË NUK I KUPTOJNË.
Zoti qoftë me ne edhe pse ne nuk e meritojmë!

P.S.
Në asnjë moment nuk e përjashtoj vetëvehten prej këtij statusi. Jam edhe unë pjesë e kësaj shoqërie.