Tetova me rekord të ri mortaliteti (TABELA)

Kovidi e shtoi me mbi 5000 shifrat e mortalitetit në vitin 2020, duke u renditur i treti në listën e sëmundjeve dhe shkaktarëve të vdekjeve. Rekordi i mortalitetit është shënuar në muajin nëntor (3847 raste), ndërsa gjatë të gjithë vitit janë evidentuar 25.775 raste, shifër kjo 26 për qind më e lartë sesa ajo e një viti më parë. Nëse të dhënat lidhur me mortalitetin nëpër komuna do të krahasoheshin me ato të viteve të kaluara, vihet re se në Komuna si Tetova, rritja është drastike. Nëse në vitin 2019 janë regjistruar 683 vdekje, vitin e kaluar rastet shkuan në 1022. Një rritje të ngjashme kanë pësuar edhe komuna të tjera shqiptare që në vite kanë pasur shifra të ulëta mortaliteti, si Çairi, Gostivari, Saraji…

Ndërkohë që ka edhe komuna të tilla, si Haraçina ku numri i vdekjeve është më i vogël në vitin e Kovidit sesa vite më parë. Komuna me numrin me të madh është Shkupi nga 5510 në vitin 2019 në 6 582 raste vitin e kaluar. Ndërsa më pas radhiten Manastiri, Kumanova, Prilepi e Tetova. Sa i takon vdekshmërisë nga Kovidi, Maqedonia e Veriut renditet e para në rajon, bashkë me Bosnjë e Hercegovinën ku shkalla e vdekjeve letaliteti (numri i të vdekurve në raport me të sëmurët) nga Kovid-19 arriti në mbi 3 për qind, shumë më e lartë sesa ajo e fqinjëve, si Shqipëri – 2.1 për qind, Serbi 1 për qind, Bullgari 2.5 e vende të tjera të rajonit si Kroacia 1.3, Slloveni 1.7, dhe Mal të Zi 1.4 për qind të vdekur.

Por sipas ekspertëve, Maqedonia ka shifra të larta letaliteti për shkak të statistikave të raportimit korrekt të autoriteteve shëndetësore. “Asnjë prej statistikave në botë nuk është e vërtetë, sepse ne jemi nga vendet e rralla që kemi statistikë transparente për popullsinë. Asgjë nuk fshihet, madje ne i kemi evidentuar si të tillë edhe ato persona që ndoshta nuk e kanë merituar që të jenë pjesë e kësaj statistike. Për fat të keq një pjesë që kanë vdekur nga të themi sëmundje malinje apo edhe ndonjë sëmundje tjetër të rëndë dhe në ditën që kanë vdekur janë testuar, post mortum”, ka deklaruar kryetari i Komisionit të sëmundjeve infektive Zharko Karaxhovski.

Të dhënat zyrtare në klasifikimin sipas gjinisë me shifrat më të larta regjistrojnë meshkujt, më shumë se gjysma dhe mosha mesatare është 71 vjeç, ndërsa tek gratë – 75 vjeç. Sa i takon shkaktarëve, në dy vendet e para janë sëmundjet e sistemit cirkulator (mbi 41 për qind), neoplazmat (mbi 15 për qind), ndërsa në vendin e tretë janë vdekjet nga Kovidi (mbi 10 për qind) , të ndjekur nga sëmundjet e sistemit respirator. Në numër më të vogël si shkaktarë të vdekjeve janë sëmundjet e sistemit nervor. Mortaliteti në Maqedoni vazhdon të jetë i lartë, sidomos po të krahasohet me vitet e fundshekullti të kaluar. Në vitin 1995 numëroheshin mbi 16 mijë vdekje në vit, ndërsa dhjetë vjet më vonë – në vitin 2005, rritja e numrit është me mbi dy mijë (mbi 18 mijë raste vdekjesh), duke shtimi gradual deri në vitin 2019 e ­çoi numrin në mbi 20 mijë raste.