Tetë vatra zjarri në Shqipëri, rëndohet situata


Situata me zjarre në Shqipëri vijon të rëndohet. Në Përmet, dhjetëra kullota dhe hektarë tokë janë djegur në hyrje të fshatit Kutal.
Deri rreth orës 21:20 raportohet të jenë djegur rreth 15 hektarë kullota dhe 2 hektarë pisha në një zonë të mbrojtur në Kutal, ku zjarrfikësja e ka të pamundur të shkojë me mjete.

Për situatën e zjarreve në Shqipëri ministria e Mbrojtjes ka angazhuar disa grupe ushtarake, mirëpo deri më tani nuk ka raportime për përmirësim të situatës.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi përmes një postimi në Facebook të shtunën se janë 8 vatra zjarri aktive ku po punohet intensivisht për neutralizimin e tyre.

Ai u ka bërë thirrje banorëve të komuniteteve përreth të denoncojnë çdo rast ku vihet re keqbërja e qëllimshme dhe të tregohen të kujdesshëm sepse siç ka paralajmëruar dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) temperaturat e larta dhe thatësira mund të shtojnë rastet e zjarreve në vend.