Tetë mijë vaksina “Fajzer” do të arrijnë nga Serbia, ja kush do të jenë të parët që do të vaksinohen

Tetë mijë vaksina “Fajzer” do të arrijnë nga Serbia. Dërgesa mund të ndodhë që sot, kumtoi dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai dje informoi se në rrjedhë janë bisedimet me kolegun e tij serb, Zllatibor Llonçar për hollësitë teknike dhe kohën e saktë të dërgesës së vaksinave. Biseda për hollësitë e dërgesës mes dy ministrave të shëndetësisë pasoi pasi që kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u dakorduan që Serbia t’i dërgojë vendit tonë 8.000 vaksina të kompanisë “Fajzer”.

“Bëhet fjalë për vaksinën Fajzer, e sila së bashku me atë të Moderlns, është e vetmja e cila i ka certifikatet e nevojshme nga rregullatorët më të mëdhenj, EMA evropiane dhe FDA-ja amerikane”, deklaroi Filipçe, por theksoi se të gjitha vaksinat që tani janë të kapshme në treg janë zhvilluar në platformë të sigurt dhe tashmë aplikohen në disa shtete. Lidhur me ruajtjen e vaksinave, ministri Filipçe tha se afër 100 mijë vaksina mund të ruhen në një frigorifer.

Kryeministri Zaev dje iu falënderua kreut shtetëror të Serbisë dhe popullit serb për aktin miqësor të solidaritetit. “Gjatë pranimit të kërkesave tona, Vuçiq ofroi të ndihmojë me vaksinat dhe ai tha se dëshiron edhe t’i dhurojë ato, por ne jemi vend dhe kemi para dhe do të paguajmë, pastaj konfirmoi se do t’i japin me çmim të furnizimit, gjegjësisht me çmim të cilin Serbia i ka furnizuar vaksinat”, sqaroi Zaev.

Zaev ka informuar se javën e fundit kërkojnë ndihmë dhe mbështetje edhe nga vendet tjera, siç tha, të na ofrojnë ndihmë që të mund të fillojmë derisa nuk arrijnë 5.580 vaksinat e para në shkurt. Vaksinat e para të cilat do të arrijnë në vendin tonë, kryeministri Zaev tha se janë për punonjësit shëndetësor të cilët punojnë në kovid qendrat, ndërsa pastaj për grupet e rrezikuara të qytetarëve me sëmundje kronike, të moshuarit, për anëtarët e familjeve të cilat i kanë humbur njerëzit nga Kovid-19 dhe të tjerë.

Derisa shteti e pret dërgesën nga Serbia, nga KE-ja akoma nuk e dinë se kur do të fillojë shpërndarja e vaksinave për Ballkanin perëndimor. Nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç, nuk ishte në gjendje të thotë se kur Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit do t’i marrin vaksinat e premtuara kundër Kovid-19 nga BE-ja. Përsëriti që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e “mbështesin” dhe “qëndrojnë në solidaritet” me Ballkanin Perëndimor, si dhe me vendet e tjera në fqinjësinë lindore dhe jugore të BE-së, në luftën kundër virusit.

Nënkryetari, megjithatë nuk ishte në gjendje të përgjigjej qartë në pyetjen e MIA-s se kur Maqedonia e Veriut do t’i marrë vaksinat, dhe as pse dozat e premtuara nga Greqia dhe Bullgaria nuk kanë arritur. Ndërkohë, mbrëmë nga Brukseli u kumtua se furnizimi me vaksina për Ballkanin Peërndimor do të jetë një nga temat e diskutimit të liderëve të BE-së në takimin e 21 janarit.

“Duhet të bisedojmë për bashkëpunimin me vendet e treta lidhur me vaksinat që duhet të trajtohen si e mirë publike globale. Do të shohim se si mund t’u ndihmojmë partnerëve tanë në fqinjësi dhe më gjerë”, tha kryetari i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel, duke shtuar se në takim do të bisedohet edhe për fushatën për vaksinim në suaza të BE-së. Në pritje të vaksinave, pasqyra epidemiologjike në shtetin tonë edhe më tej po qetësohet.

Dje u regjistruan 63 raste të reja me koronavirus nga 529 testime të bëra, 13 persona vdiqën, ndërsa 176 u shënuan si të shëruar. Nga 13 personat e vdekur, pesë pacientë nga Shkupi (69, 72, 77, 66 dhe 66 vjet), dy nga Velesi (66 dhe 80 vjet), tre nga Struga (74, 87 dhe 73 vjet), një pacient nga Kratova (52 vjet), një nga Krusheva (79 vjet) dhe një nga Demir Kapia (62 vjet). Pacientët vdiqën në spital.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 88.992, numri i pacientëve të shëruar është 73.777, numri i të vdekurve është 2.715 dhe numri i rasteve aktive është 12.500. Në Shkup ka 7304 raste aktive, Kumanovë – 455, Tetovë – 468, Kavadar – 395, Strumicë – 385, Ohër – 355, Veles – 335, Gostivar – 332, Prilep – 302, Manastir – 254. Në qytetet e tjera ka më pak se 200 raste.