TESTIMI PISA: Nuk priten rezultate të mira këtë vit

Samet Jahiu, kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë në Kumanovë-Likovë, thotë se Maqedonia ka pasur rezultate të dobëta edhe gjatë mësimit me prezencë fizike, por tani që mësimi zhvillohet online – rezultatet priten të jenë edhe më të dobëta. “Mësimi online nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv dhe performanca e nxënëseve ka qenë shumë e dobët. Pretendimet e ministres së Arsimit se 90 për qind e nxënëseve janë duke marrë pjesë në mësimin online, nuk janë të vërteta dhe është keqinformim i publikut”

Zenel MIFTARI
Shkup, 22 mars – Testimi PISA këtë vit, për shkak situatës së krijuar me virusin korona, do të jetë vetëm testim provë për shkak se për herë të parë – do të zhvillohet në mënyrë elektronike. Testimi është planifikuar të mbahet gjatë muajve prill-maj dhe do të jetë në dy gjuhë – maqedonisht dhe shqip. Në testimin e paraparë do të përfshihen 50 shkolla fillore nga vendi dhe rreth 3000 nxënës të moshës 15-vjeçare. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) kanë deklaruar se këtë vit, gjatë muajit prill dhe maj do të zhvillohet testi pilot i PISA-s, ku do të marrin pjesë nxënësit e moshës 15-vjeçare dhe ku do t’ju testohen aftësitë, njohuritë dhe zbatimin e tyre që i kanë mësuar në shkollë.

“Testimi kryesisht do të bëhet në tre fusha – aftësitë e të kuptuarit dhe të lexuarit, aftësitë në matematikë dhe aftësitë në shkencë. Ndërsa testimi kryesor pritet të zhvillohet në vitin 2022”, thonë nga MASH-i. Rezultatet e këtyre testeve, siç thonë në MASH, janë të rëndësishme dhe na japin një pasqyrë të qartë të drejtimit në të cilin duhet ta lëvizim arsimin në të ardhmen, derisa testet ndërkombëtare na ndihmojnë në krijimin e politikave të përshtatshme për përafrimin me standardet moderne arsimore globale.

Nga ana tjetër, njohësit e arsimit thonë se nuk presin rezultate pozitive për shkak situatës së krijuar nga virusi korona, por edhe reformave të shpejtuara nga MASH-i. Samet Jahiu, kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë në Kumanovë-Likovë, për gazetën KOHA, ka deklaruar se vendi ynë ka pasur rezultate të dobëta edhe gjatë mësimit me prezencë fizike, por tani që mësimi zhvillohet online, rezultatet priten të jenë edhe më të dobëta.

“Mësimi online nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv dhe performanca e nxënëseve ka qenë shumë e dobët. Pretendimet e ministres së Arsimit se 90 për qind e nxënëseve janë duke marrë pjesë në mësimin online, nuk janë të vërteta dhe është keqinformim i publikut”, thotë Jahiu. Ai shprehet se, edhe ndodhitë e fundit dhe reformat e shpejtuara nga MASH, ka bërë që niveli i arsimit të bie bukur shumë dhe testimet ndërkombëtare do të paraqesin pasqyrimin real të Strategjisë së gabuar të procesit edukativo-arsimor të përpiluar nga MASH-i.

Ndryshe, Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili vlerëson kompetencat e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe në shkencë. Para Maqedonisë së Veriut, në bazë të rezultateve të testimit të fundit PISA është radhitur Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Shqipëria, kështu që Maqedonia e Veriut, ka lënë prapa vetëm Kosovën. Në vendin e parë në botë janë nxënësit nga Kina, Singapori, Makao, Hong Kongu, ndërsa nga vendet evropiane, rezultate më të mira kanë treguar nxënësit e shkollave të mesme në Estoni duke u radhitur në vendin e pestë.