Teste PCR pa pagesë për turistët e huaj në Maqedoni të Veriut

Maqedonia e Veriut synon që të tërheqë turistët nga vendet e rajonit dhe më gjerë, me anë të ofrimit të testeve PCR, falas për koronavirusin e ri .
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, presin që gjatë vitit 2021, në vend të arrijnë rreth 50 mijë turistë të huaj, të cilëve do tu ofrohet PCR test falas për koroavirusin e ri, test ky i cili do të realizohet në bashkëpunim me Institutin për Shëndet Publik, Fondin për Shëndetësi dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq, punonjësit në sektorin e turizmit, thonë se sezoni i sivjetëm turistik, kryesisht do të varet nga dinamika e procesit të vaksinimit dhe veçanërisht nga fakti se vendet prej ku pritet të vijnë turistët e huaj, do të kërkojnë ose jo që shtetasit e tyre të karantinohen.
Kryetari i Odës Turistike dhe Gastronomisë, Vlladimir Gramatikov thotë se mund të jetë frytdhënës vendimi i paralajmëruar i qeverisë, që turistëve të huaj tu ofrohet pa pagesë PCR test.

Gramatikov, thotë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë marrë vaksina dhe kanë mundësi të bëjnë pushime jashtë vendit, sigurisht se do të shkojnë të paktën në vendet fqinje si Greqia dhe Shqipëria, andaj, ai shton se duhet sa më parë qeveria të shpërndaj mjete edhe për turistët vendorë, përmes vauçerëve, sic ishte rasti gjatë vitit të kaluar.
“Shumica e qytetarëve, kryesisht do të shkonin në Greqi pasi kanë vauçerë (kartela pagesore) që nuk i kanë shfrytëzuar, e të cilat i kishin marrë nga agjencitë turistike.

Për këtë vit nuk kemi paralajmërime spektakolare për ardhjen e turistëve të huaj.
Kemi disa paralajmërime për ardhjen e turistëve nga Polonia, nga Izraeli dhe Holanda, por se a do realizohen këto vizita, do ta shohim, pasi pengesë e madhe për turistët e huaj, paraqet fakti se një pjesë e tyre duhet t’i nënshtrohen karantinës pas kthimit nga pushimi, ose fakti se duhet të nxjerrin PCR test të ri, gjatë kthimit në shtetin e tyre”, thotë Kryetari i Odës Turistike dhe Gastronomisë, Vlladimir Gramatikov.

Nga ana tjetër, kryetari i Asociacionit të Hotelierëve, Kërste Bllazhevski thotë se tashmë ka realizuar më shumë marrëveshje me operatorët turistik, por shton se për verifikimin e marrëveshjeve, pritet që të përmirësohet gjendja epidemiologjike në vend.

“Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Na është premtuar se gjatë kësaj jave do të filloi vaksinimi i personelit të sektorit të hotelerisë dhe shpresoj se gjatë muajit maj, do të vaksinohet i gjithë personeli i këtij sektori, kështu që turistëve do të mund tu ofrojmë një destinacon të sigurt, pasi këtë e presin partnerët tonë nga jashtë vendit, se Maqedonia e Veriut paraqet një destinacion të sigurt”, thotë Bllazhevski.
Edhe ai thotë se pjesa më e madhe e turistëve nga vendi, do të preferojnë pushimet t’i bëjnë në vendet e rajonit.

Qeveria krahas testit falas për turistët e huaj, ka paralajmëruar dhe taksa falas për qytetarët serbë, si shenjë mirënjohje për donacionin e vaksinave kundër koranvirusit.
Këtij vendimi i janë bashkëngjitur dhe hotelierët, të cilët do të ofrojnë çmime më të lira për turistët nga Serbia nga muaji maj deri në tetor.
“Në hotelet me katër yje, një person me mëngjes dhe darkë, do të paguajë vetëm 25 euro, përderisa hotelet e kategorisë më të lartë, mund të jenë më shtrenjtë për 2-3 euro”, ka sqaruar kryetari i Asociacionit të Hotelierëve Kërste Bllazheski.

Nga ana tjetër edhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Promovimin e Turizmit, i ka propozuar qeverisë së vendit që turistët serbë, të kenë bileta falas për të gjithë muzetë, parkim falas në të gjitha qytetet si dhe zbritje në të gjitha objektet gastronomike dhe ato të akomodimit. .
Asociacioni i Hotelierëve, në këtë drejtim ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar mundësinë për të ofruar pako të ngjashme edhe për mysafirë nga vendet e tjera fqinje, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bullgaria.