Tërmet prej 5 ballëve në rajonin e Pollogut! Nga sektori i energjetikës me shpjegim se pse ka ndodhur

Këto incizime dhe fotografi vijnë nga rajoni i Pollogut, ku këtë mëngjes u regjistrua tërmet me fuqi prej 5 ballëve sipas shkallës së Rihterit.
“Këtë mëngjes në orën 4:54 u regjistrua tërmet epiqendra e të cilit është në rajonin e Gostivarit. Tërmeti ishte me magnitudë prej 5 ballëve, ndërsa sipas informacioneve të fundit më së tepërmi është ndjerë nga banorët e Mavrovës dhe Gostivarit me intensitet prej 5 ballëve sipas shkallës Makrosizmologjike evropiane”, theksoi Dragaba Çernih nga Observatori Sizmologjik.

I gjithë territori gjendet në rajon në të cilin shpesh ka dridhje andaj tërmetet e tilla nuk duhet të na befasojnë, thonë ekspertët.
Uji në Mavrovë pas tërmetit është i turbull dhe nuk rekomandohet të shfrytëzohet për pije.
“Për shkak të tërmetit, epiqendra ishte në rajonin e Mavrovës, erdhi deri te turbullimi i ujit për pije në rrjetet e ujësjellësit. Ju rekomandojmë që një periudhë të caktuar përderisa dridhjet të qetësohen, të MOS PINI ujë drejtpërdrejtë nga çezmat tuaja”, thonë nga NPVK – Mavrovë.

Nga Oda Ekonomike për Energjetikë, thonë se e kanë përgjigjen – se cila ishte arsyeja për tërmetin e fuqishëm.
“Arsyeja kryesore për tërmetet, mes të tjerash, është edhe mbushja dhe zbrazja e papritur e liqeneve. Njëra nga arsyet kur mbushen liqenet, vjen momenti kur për shkak të presionit, pllaka fillon të lëvizet gjatë një periudhe të caktuar dhe të shkaktojë lëvizje, respektivisht tërmete”, potencoi Gjorgji Manaskov nga Oda Ekonomike për Energjetikë.

Tërmeti ishte ndjerë edhe në Shkup. Incizimi që është bërë menjëherë pas tërmetit, dëshmon edhe për kafshë të shqetësuara në Kopshtin Zoologjik në Shkup.
Deri në këtë moment nuk ka paraqitje për dëm të shkaktuar. Pas tërmetit këtë mëngjes, janë regjistruar edhe disa dridhje të tjera.