Tërbohet Agim Veliu e quan Kurtin struc e frikacak, anti-kosovar e anti-amerikan, thotë se e tradhtoi vendin

Agim Veliu, i shkarkuar dje nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, ka folur edhe një herë për vendimin e kryeministrit Kurti, për të cilin LDK u kundërpërgjigj duke inicuar mocion votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë.
Veliu e ka quajtur Vetëvendosjen Lëvizje anti-kosovare dhe anti-amerikane, gjersa ka thënë se kreu i saj dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti me një veprim prej struci e akuzoi atë për tradhti, duke u përpjekur të anashkalojë arsyet e vërteta të largimit të tij nga Qeveria.

Veliu ka thënë se Kurti provokoi prishjen e koalicionit me LDK-në për shkak se prishi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën perëndimore.

Reagimi i plotë:

Albin Kurti, kryeministri në largim i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes anti-kosovare dhe anti-amerikane, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të fshehur, sipas zakonit ideologjik, arsyen e vërtetë të largimit të tij nga qeverisja e Kosovës, ka hedhur akuza ndaj meje.
Tradhtia dhe sabotimi që ai përdori duke u munduar ta arsyetoj veprimin e tij prej struci e frikacaku, janë atribute që i takojnë atij.
As unë dhe as LDK-ja, por Albin Kurti ka tradhtuar dhe po tradhton Kosovën dhe ka sabotuar e po saboton Kosovën dhe qytetarët e saj.

Unë, Agim Veliu dhe LDK-ja nuk kemi tradhtuar e as nuk tradhtojmë asnjëherë. As nuk kemi sabotuar e nuk e sabotojmë asnjëherë Kosovën. As kur na kanë gjuajtur për të na vrarë e as kur na kanë vrarë. Pse kemi menduar dhe kemi thënë atë që mendojmë.
Sepse, edhe atëherë, edhe sot, jemi të bindur se kemi thënë e kemi bërë atë që ka qenë dhe është e vërteta.
E vërteta, ka qenë dhe është. Kosova është e lirë dhe e pavarur, për arsye të vullnetit e sakrificës së qytetarëve të saj dhe për shkak të partneritetit të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj euro-atlantik.

Albin Kurti dhe oborri ideologjik i tij e dinë. Por, duhet ta dinë edhe qytetarët e Kosovës. Që Albin Kurti provokoi prishjen e koalicionit me LDK-në për shkak se prishi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën perëndimore.

Këtë e bëri sepse e kishte paralajmërimin e qartë të LDK-së se nuk do ta lejonte prishjen e raporteve të Kosovës me Shtetete e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët natyrorë të saj. Dhe e kishte ditën e premte, si afatin e fundit për të reflektuar në këtë drejtim.
Për ta hequr, menjëherë dhe pa kushte tarifën. Për tia hequr Amerikës barrën ndërkombëtare që shteti i sponsoruar prej saj nuk është i denjë për respektimin e rregullave të ekonomisë e demokracisë perëndimore.