Tentohet të futet drogë në burgun e Dubravës (FOTO)

Në Qendrën Korrektuese të Dubravës sot është parandaluar futja e kontrabandës nga oficerët korrektues. Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se brenda kësaj qendre është tentuar të futen lëndë narkotike, përmes veturës së një kompanie, e cila ishte kontraktuar për servisimin e pajisjeve elektrike. Informacioni konfidencial fillimisht ishte pranuar nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative.

“Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës pas një informacioni konfidencial nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës brenda kësaj qendre”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

“Me të pranuar informacionin, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit përgjegjës për siguri, i cili ka ndërmarr veprimet e nevojshme, me ç` rast në tunelin e hyrjes në Porten e Re të qendrës kanë lokalizuar veturën e kompanisë, e cila është e kontraktuar për servisimin e pajisjeve elektrike në SHKK. Gjatë kontrollit, brenda pjesës së pasme të veturës (bagazh), në mënyrë të kamufluar është gjetur substancë e dyshuar narkotike”. Lidhur me rastin është njoftuar policia, ndërsa SHKK thotë se ka filluar hetimet dhe shumë shpejt do të dal me një raport të detajuar.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndroj duarkryq përballë këtyre dukurive negative, të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj”. /Telegrafi/