Tentativa e rradhës nga presidenti Pendarovski për cakim të datës së zgjedhjeve, nesër mbledh liderët

Nesër në mesditë, në vilën presidenciale në Vodno, do të mblidhen liderët e partive më të mëdha parlamentare për të diskutuar rreth gjendjes aktuale me pandeminë dhe kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Një ditë para këtij takimi palët ende mbajnë qëndrime të kundërta rreth datës dhe periudhës më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kryeministri teknik Oliver Spasovski, rikujtoi se Qeveria ka miratuar një urdhëresë me fuqi ligjore e cila definon saktë afatet për mbajtjen e zgjedhjeve dhe shtoi se kjo urdhëresë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese se është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

VMRO-DPMNE tani për tani nuk ka ofruar datë që është e pranueshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në takimin e nesërm pritet të shpalosen edhe vlerësimet e komisionit për sëmundje infektive, Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR për periudhën më të përshtatshme dhe protokollin për organizimin e zgjedhjeve.