Tensionohet sërish situata, ishulli grek Kastelorizo, “mollë sherri” mes Greqisë dhe Turqisë

Mëngjesin e sotëm në ishullin grek Kastelorizo, që ndodhet pak kilometra larg tokës turke, një dron, i cili fluturoi në ajër për rreth 40 minuta, njollosi me bojë të kuqe flamurin grek.

Banorët e ishullit thanë se droni kishte altoparlantë që luanin himnin turk.

Ministria e Jashtme greke nuk mund të rrinte pa reaguar për këtë ngjarje dhe i ka bërë thirrje Turqisë të hetojë dhe dënojë incidentin e ndodhur në ishullin Kastelorizo.

Në deklaratën e saj, diplomacia greke thekson se këto veprime mund të kërcënojnë dhe intensifikojnë tensionet mes dy vendeve. Ajo i bën thirrje Ankarasë t’i vëpara drejtësisë personat përgjegjës për këtë incident.

“Ne dënojmë pa mëdyshje fyerjen e djeshme të flamurit grek në Kastelorizo. Veprime të tilla të papranueshme kanë për qëllim të rrisin perspektivat e përshkallëzimit të tensioneve midis dy vendeve. Ne presim që autoritetet turke të dënojnë dhe hetojnë menjëherë incidentin, në mënyrë që ata që janë përgjegjës të mund të sillen para drejtësisë,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.