Tensionet në Veri/ Vuçiç: Telefonova Lajçakun, i thash t’i frenojë ose do t’i frenojmë ne!

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç është shprehur se ka biseduar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vuçiç deklaroi se i ka kërkuar Lajçak të frenojë palën kosovare dhe nëse nuk do të jetë në gjendje për ta bërë një gjë të tillë, atëherë do të jetë vetë ai që do t’i ndalojë.

“Më thanë se jemi duke punuar dhe më pas i bënë ata të tërhiqen. Sidoqoftë, duhet të keni parasysh, sipas intelegjencës sonë, se për atë që bënë sot, ata kishin mbështetjen e së paku një shteti, dhe ky nuk është një vend i BE-së së sotme”, tha Vuçiç.

Ai deklaroi më herët se do të telefononte 50 persona, por siç duket pati vetëm një bisedë telefonike me Lajçak.

“Sot e telefonova Lajçakun dhe ia thashë të gjitha, ndoshta e humba durimin, vetëm se BE-ja nuk i ka përmendur përsëri të dyja palët”, tha Vuçiç.

Për të kjo është një periudhë e vështirë.

Sipas tij, po synohet që para pranverës të zhduket Republika Srpska dhe që kjo do të bie në shpinë të Serbisë. Ai tha se Kosova ka edhe përkrahjen e gjithë QUINT-it.

“SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, të gjithë QUINT-it, duhet të kuptoni të gjithë, se nuk do të heqin dorë nga Kosova e pavarur. Asnjë zgjidhje për Kosovën nuk është e mirë. Sot në veri të Kosovës kemi paga më të mëdha se në Rashkë, gjithçka e mendoj njësoj si ju, çdo rresht, por pyetja është se cili do të ishte reagimi ynë më i mirë”, tha ai.

Vuçiç u shpreh mirëkuptues me vendimin e qytetarëve serbë në Kosovë, duke u shprehur se do të dëshironte që të kishin menduar në mënyrë më racionale.

“Nuk jam budalla të mos shoh se ishin emocionet tuaja, sido që të jetë Serbia dhe Beogradi janë me ju”, tha ai.