Tensionet në veri, reagon presidentja Osmani: “Lufta ndaj krimit është e pakompromis, presim që BE të qëndrojë besnike”

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas aksionit të sotëm të policisë së Kosovës kundër kontrabandës në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut. Përmes një postimi në facebook, presidentja Osmani ka thënë se lufta krimit të organizuar është e pa kompromis dhe e panegociueshme.

“Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre. Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar”, ka shkruar ajo në facebook.

Sipas Osmani aksioni i sotëm nuk ka të bëjë me përkatësi etnike por me luftën kundër grupeve kriminale.“Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik. Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar”, ka shkruar ajo. Osmani ka thënë se ashtu siç edhe ka kërkuar Bashkimi Evropian të qëndroj mbrapa kërkesës së tyre që të luftohen grupet kriminale.

“Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, ka theksuar ajo.Policia e Kosovës nga mëngjesi i sotëm ka filluar një aksion për mallra të kontrabanduara.

Nga aksioni i zhvilluar në katër komuna janë arrestuar tetë persona nga ta 6 shqiptarë, dhe një serb e një boshnjak. Ndërsa janë lënduar gjashtë polic, një prej tyre një serb. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell përmes një reagimi kishte kërkuar që të ndalet aksioni anti-kontrabandë i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut. “Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, ka shkruar Borrell në twitter.