Tensione të larta: Rusia kërc*ënon sërish Ukrainën

Rusia, e cila ka aneksuar me forcë Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në luftimet në lindje të Ukrainës, pavarësisht provave për të kundërtën.
Konflikti në rajonet Luhansk dhe Donjeck ka lënë mbi 13,000 njerëz të vrarë.
Misioni i OSBE-së në Ukrainë raportoi për qindra shkelje të armëpushimit atje, në ditët e fundit.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se “veprimet destabilizuese të Rusisë minojnë synimet për qetësi, të arritura përmes marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OSBE-ja për armëpushim, në korrik të vitit të kaluar”.
Ushtria e Ukrainës ka thënë më 26 mars se katër ushtarë të saj janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në bombardimet në Donjeck. Sipas saj, numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë ukrainas qysh në muajin dhjetor ka arritur në 19.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, Ruslan Khomchak, ka thënë se Moska po rrit praninë ushtarake në kufi “nën maskën e përgatitjes për stërvitje strategjike”.
“Ne jemi duke u përgatitur për të gjitha provokimet dhe reagimet e mundshme ndaj veprimeve të armikut”, ka thënë Khomchak.

Ai i ka bërë këto deklarata në një fjalim para Parlamentit të Ukrainës, më 30 mars.
Komentet kanë nxitur reagimin e Putinit, i cili ka fajësuar Ukrainën për tensionet dhe i ka bërë thirrje Kievit që të përfshihet në dialog të drejtpërdrejtë me forcat lokale separatiste.