Temperaturat e larta nuk janë ilaç për Kovid-19, “Nëse bëhet skrining numri do të jetë 10 herë më i lartë”

Të pabazuara janë pohimet se me ardhjen e periudhës së verës dhe temperaturave të larta, virusi do të largohet vetë. Megjithatë me relaksimin e masave filloi edhe rritja e vazhdueshme e rasteve të reja me Kovid-19. Epidemiologët vlerësojnë se shpërndarja e shpejtë e virusit është rezultat i ndërgjegjësimit të ulur te qytetarët dhe mos besimit se ekziston virusi.

– Advertisement –

Autoritetet apelojnë për ngritjen e vetëdijes te qytetarët, megjithatë pa masa restriktive të cilat mund të sjellin vetëm rezultate negative.

“Temperaturat e larta e shkatërrojnë virusin, por jo kjo temperaturë që e kemi ne. Virusi shkatërrohet në temperaturë më të lartë se 76 gradë. D.m.th. temperatura prej 30-40 gradëve nuk ka asnjë shans për të shkatërruar virusin. Kjo duhet tu theksohet qytetarëve dhe se ai jeton në trupat tanë në 37 gradë, kështu që në temperaturë të jashtme prej 37 gradëve virusi nuk mund të shkatërrohet. Vlerësoj se ne ende nuk kemi nivelin e nevojshëm të vetëdijes, ose njerëzit nuk besojnë se ekziston virusi dhe nuk besojnë në pasojat. Njerëzit duhet ta kuptojnë se kjo është sëmundje serioze e cila është e panjohur për ne”, deklaroi Sasho Ollumçev – epidemiolog.

Fillimisht virusi filloi të shpërndahet te personat e moshuar me imunitet të dobët. Ndërsa tani shpërndahet edhe te të rinjtë për shkak të mosrespektimit të masave.

– Advertisement –

“Distanca nuk respektohet, nuk respektohen masat parandaluese – mbajtja e maskave, bëhen kontakte të afërta dhe të shumta, tani vjen periudha e verës, ka migrim nga qyteti në qytet mes të rinjve. Njerëzit do të fillojnë të udhëtojnë, kufijtë me siguri do të hapen, kështu që do të ketë përzierje të popullatës dhe do të ketë më shumë përcjellje të virusit dhe më shumë të infektuar, për shkak se kemi thënë, që janë asimptomatikë, njerëzit nuk i marrin seriozisht dhe më pas me skrininugun dhe teste, shihet se kemi një numër të madh të të infektuarve. Nëse do të bënim një ekzaminim gjithë popullatës tani, numri ndoshta do të ishte dhjetë herë më i lartë”, tha Ollumçev.

Doktor Olumçev beson se virusi nuk ka mutuar ende në një formë tjetër, sepse, siç thotë ai, 30% e pacientëve janë asimptomatik, ndërsa pasi që janë asimptomatik, ata nuk zhvillojnë pasqyrë klinike, dhe të tilla nuk krijojnë imunitet. Që një virus të mutojë, ai duhet të kundërshtohet nga dikush, domethënë, imuniteti duhet të ndikojë në të, në mënyrë që të mund të mutojë në vetëmbrojtje.

Ndërkohë, po rritet numri i të infektuarve edhe në rajon ndërsa në shumë vende të Ballkanit po regjistrohen rekorde për raste të reja dhe viktima. Janë kthyer masat e jashtëzakonshme në Beograd dhe pesë qytete të tjera. Numri i të infektuarve po rritet në Bullgari dhe Kroaci. Për shkak të situatës epidemiologjike në vend, po anulohen të gjitha lutjet, liturgjitë dhe tubimet e ngjashme në gjithë Malin e Zi. Numër rekord i personave të infektuar është evidentuar edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë ku nga fillimi i epidemisë ka pasur rreth 300 të infektuar në vetëm një ditë. Numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri në të gjithë botën ka tejkaluar 11 milion dhe më shumë se gjysmë milioni kanë vdekur.