Temperaturat e larta, fillojnë betejat me zjarret

Ka filluar tashmë beteja me zjarret. Institucionet vlerësojnë se këtë vit janë më të përgatitura se vitet e kaluara. Megjithatë nga tre avionë vendi ka në dispozicion vetëm një. Sipas informacioneve të fundit nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim mund të thuhet se “airtractor” që tashmë është në funksion do të jetë i vetëm përball flakëve gjatë kësaj vere, pasi dy avionët e tjerët ende nuk janë kthyer në vend.

Avioni i dytë që ishte për riparim në Spanjë është gati por s’mund të dorëzohet për shkak të vdekjes së një piloti pasi avioni i tyre u rrëzua gjatë shuarjes së zjarreve në Portugali, ndërsa avioni i tretë është i çmontuar.

“Ata nuk janë në gjendje ta dorëzojnë atë. Pra, përveç kësaj, çdo ditë jemi në koordinim sepse është detyrim i tyre sipas kontratës që të na dorëzojnë avionin sa më shpejt që të jetë e mundur. Pra kanë përfunduar të gjitha procedurat në lidhje me avionin e dytë, ka përfunduar me procedurat doganore, me të gjitha, presim që të na thonë se cili pilot duhet të pilotojë atë”, thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjes dhe Shpëtim Bekim Maksuti apeloi që qytetarët të jenë të kujdesshëm me zjarret.

“Dua të t’u bëj apel qytetarëve se pjesa më e madhe zjarreve nga viti i kaluar, por edhe këtë vit janë zjarre të shkaktuara nga pakujdesia. Nuk ka zjarre që ndizen vet. Të paraqesin nëse shohin diçka të dyshimtë. Të kyçen vullnetarisht në shuarjen e zjarreve”, theksoi Bekim Maksuti- Drejtoria për Mbrotje dhe Shpetim.

Buxheti që Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka në dispozicion është 4.5 milion euro dhe siç kishin deklaruar më herët nga ky institucion, kjo shumë duhet të jetë shumë herë më e lartë që servisimi i avionëve dhe mirëmbajtja e tyre të realizohet në kohë./Alsat.mk