Televizioni i Dodik/ Rama do Serbinë lider të Ballkanit, perëndimi do Bullgarinë

Nga Pink.rs

Shkatërrimi i inciativës rajonale, e cila është më se e rëndësishme për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është vetëm një prej presioneve ndaj shtetit tonë. Pas një sërë presionesh me të cilat po përballet Serbia javët e fundit, arriti edhe presioni, me sa duket më dinaku, duke patur parasysh faktin se kërcënon bashkëpunimin rajonal që potencon Serbia.

Disa qendra Perëndimore të fuqisë, krejtësisht hapur ia filluan me shkatërrimin e Ballkanit të Hapur, iniciativë e cila deri tani ka grumbulluar në gjirin e saj Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me ambicien për tu zgjeruar në tërë Ballkanin Perëndimor, pra edhe në Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë dhe në territorin e Kosovës. Duke minuar Ballkanin Perëndimor, disa fuqi europiane duan që edhe në këtë mënyrë artificiale të ndryshojnë raportin e forcave në Ballkan.

Bashkëpunim i vështirësuar

Nuk fshihet më fakti se qëllimi është që Serbia të zhvendoset nga pozita e faktorit kyç në Ballkan dhe të shtyhet në periferinë e vendimmarrjes mbi kushtet ballkanike. Njëkohësisht, disa fuqi europiane ia kanë caktuar Bullgarisë rolin e liderit të rajonit dhe e shtyjnë haptazi në këtë pozicion.

Në favor të këtij fakti flet edhe takimi që u mbajt para pak kohësh në Sofje ku u mblodhën kryeministrat e katër vendeve anëtare të NATO-s: Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Megjithëse tema e kësaj mbledhje ishte situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, nuk iu dërguan ftesa anëtarëve të Ballkanit të Hapur-Serbisë dhe Shqipërisë.

Në dritën e rrethanave të luftës në Europë dhe luftës së përgjithshme për furnizim me energji, Bullgaria fitoi një rol të ri për shkak të rëndësisë së territorit të saj dhe transportit të gazit dhe naftës drejt Europës.

Të njëjtat rrethana politike dhe ekonomike kanë sjellë në rend të ditës edhe iniciativën Ballkani i Hapur, por ajo në leximin e një pjese të fuqive europiane, shihet si një poligon ideal për të zgjeruar dhe përforcuar mekanizmin e presioneve ndaj Serbisë. Edhe një shembull ilustrativ sesi funksionin kjo është edhe votimi për heqjen e Serbisë nga lista e sanksioneve për import nafte.

Kundër heqjes ishin Kroacia, Polonia, Rumania, por edhe Bullgaria. Synimi është i dukshëm, dhe ky është që të helmohet ideja për bashkëpunimin reciprok të vendeve ballkanike dhe pastaj të ndalet zgjerimi i tij.

Konflikt i Lindjes dhe i qendrave Perëndimore të fuqisë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Srgjan Perishiç thotë se është në veprim e sipër “shkatërrimi i idesë së Ballkanit të hapur”.

-Kushdo që e sheh ndryshe këtë iniciativë, dhe fakt është se Beogradi është nën goditje edhe për këtë, ose më mirë të themi për shkak të të kuptuarit sesi duhet të ishte ky union. Goditja vjen kryesisht nga disa shtete Perëndimore. Ata po e shkatërrojnë idenë serbe për Ballkanin e hapur, megjithëse publikisht edhe më tej flasin më të mirën për atë. Sepse secili e sheh ndryshe këtë iniciativë. Amerikanët e shohin si organizatë ndërkombëtare në të cilën rolin kryesor e kanë shqiptarët si faktori i tyre kryesor te të cilët ata mbështeten në Ballkan. Britanikët i shohin gjërat njëlloj, ndërsa për Gjermaninë ky union është Ballkani i hapur, i cili do të jetë nën kontrollin e BE-së. Ndërsa ideja e vërtetë e Beogradit është gjallërimi idesë së vjetër sipas së cilës Ballkani u përket vendeve ballkanike- shpjegon Perishiçi.

Ai përmend se konflikti i madh mes një pjese të fuqive Perëndimore dhe Rusisë jo vetëm që e ka penguar iniciativën Ballkani i Hapur por edhe ka përforcuar forcat që e shtyjnë Bullgarinë në plan të parë, ose i japin asaj primatin ndaj faktorit shqiptar në Ballkan.

-Nuk bëhet vetëm luftë e armatosur, por edhe ekonomike dhe mediatike, diplomatike, informative… Kjo luftë e gjithanshme e ka ndryshuar plotësisht pamjen. Shtrohet pyetja nga na doli kështu përnjëherësh Bullgaria, por duhet patur parasysh fakti se ajo është anëtare e NATO-s dhe e BE-së, por është gjithashtu edhe vendi që mund të krijojë probleme me importin e naftës dhe gazit. Pra, në këtë moment, kur fuqitë Perëndimore janë në luftë me Rusinë, qeveria në Sofje, si anëtare besnike e NATO-s, i nevojitet vendeve Perëndimore, para së gjithave ShBA-ve- vlerëson Perishiçi.

Analisti politik Dejan Miletiç mendon se në këtë fazë Ballkani i Hapur nuk duhet të jetë faktori kyç i politikës së jashtme.

Nuk mund të barazohen me ne

-Do të ishte me shumë rëndësi që liderët e rajonit ta kuptojnë se së bashku jemi dialogues më të mirë dhe mund ti mbrojmë më mirë interesat tona kombëtare. Liderët duhet ti rrinë larg politikës së lartë dhe, në vend të saj, të shohin sesi të notojmë dhe të dalim nga ky moment krize. Si për Europën ashtu edhe për njerëzimin. Nëse shtyhet Bullgaria apo ndonjë vend tjetër, kjo është e gjitha diçka relative, sepse në Europë nuk ekziston një koncept i fortë. Bullgaria, as për nga pozita dhe as për nga arritjet politike nuk është në gjendje të barazohet me Serbinë përsa i përket konceptit të Ballkanit të hapur. Pavarësisht nga energjentët, kjo nuk është reale. Neve faktori ndërkombëtar na merr në konsideratë në mënyrë që të ruajë ndonjë interes të tijin. Ata i bëjnë presion Serbisë në mënyrë që ta futin në taborin e tyre, që të veprojnë akoma në mënyrë më homogjene, ose më mirë të themi nuk duan të lejojnë që Serbia të jetë në një pozitë të privilegjuar. Atyre nuk u shkon për shtat ajo që vendi jonë bën politikë parimore për të justifikuar sjelljen e tij- shton ai.

Suzana Grubjeshiç (Ish zëvendëskryeministre 2012-2014, me kryeministër Ivica Daçiç-shën. i përkth):

Gjëja më e mirë e dhjetë viteve të fundit

Edhe zëvendësdrejtoresha e Qendrës për politikë të jashtme (Drejtor i kësaj qendre është ish ministri i jashtëm Vuk Jeremiç-shën. i përkth.) shpjegon përse iniciativa Ballkani i Hapur është një prej iniciativave më të mira në dekadat e fundit: -Ballkani i hapur ka mbështetjen e theksuar të ShBA-ve, me kushtin që kjo iniciativë të mbetet inkluzive dhe të përfshijë të gjithë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor. Për fat të keq qeveritë e Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, secila për arësyet e veta, ende bëjnë rezistencë ndaj përparimit të bashkëpunimit ekonomik dhe realizimit të katër shtyllave europiane të lirisë: lëvizje e lirë e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, Ballkani i Hapur po funksionon gjithnjë e më mirë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e kësisoj shpresoj se, së paku edhe Mali i Zi, do ti bashkohet së shpejti, sepse kjo është paralajmëruar disa herë. Ekzistojnë edhe synimet e qeverisë gjermane për të vazhduar me procesin e Berlinit, megjithëse nuk ka detaje për një gjë të tillë, për shembull cili është vendi që kryeson këtë vit, e pra jemi në prill. Ballkani i Hapur nuk është vetëm iniciativë ekonomike por në thelb është edhe iniciativë paqësore dhe një prej gjërave më të mira që janë publikuar në këto dekadat e fundit.