Teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit – A është zgjidhje për kaosin në trafik?! (VIDEO)

Ndërtimi I teleferikut të ri nga Tetova për në Kodrën e Diellit është në planin e Ndërmarrjes Publike ELEM TURS, të cilët thonë se është një investim I madh, por që mund të realizohet. Funksionimi I tij do të kontribuonte për uljen e presionit të trafikut, do të ishte zgjidhje për mungesën e vendparkimeve por edhe në dobi të mjedisit jetësor.
Ademi Neimi thotë se, dikur linja e teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit ishte atraksion për vizitorët dhe simbol I Tetovës, por nga viti 2001 është jashtë funksionit.

ADEM NEIMI – DREJTOR I TELEFERIKËVE
Teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit është dikund 7 kilometra gjatësi, është në dy pjesë: pjesa e parë është Tetovë Lisec dhe pjesa e dytë është Lisec-Kodra e Diellit. Kjo ka funksionuar deri vitin 2001, kur filloi edhe konflikti në Tetovë edhe punëtorët u larguan, pas kthimit të punëtorëve teleferiku ishte plotësisht i shkatërruar, d.m.th edhe pjesa elektrike mbrenda ishte e shkatërruar edhe deri sot nuk funksionon.
Drejtori Neimi thotë se për vënien në funksion të teleferikut duhen shumë investime dhe të ndërtohet një teleferik modern që do të zgjidhte shumë probleme.

ADEM NEIMI – DREJTORI I TELEFERIKËVE
Kemi pritur një kohë të gjatë, dikund afër 20 vite që kjo të rregullohet, kjo nuk u bë, nuk u rregullu, edhe tash nuk ja vlen që të rregullohet kjo, nuk i kompleton kapacitetin e udhëtarëve dhe është e nevojshme për një investim të madh, d.m.th një teleferik siç e përmenda më parë një teleferik më modern që do I plotësojë kapacitetet e qendrës turistike dhe në të ardhmen të mos ketë problem për parkingjet apo për vizitorët.

Vënien në funksion të teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit e kërkojnë edhe qytetarët e Tetovës dhe të vendit, përmes një nisme në Facebook. Nisma është ngritur që në vitin 2014 dhe numëron rreth 2.000 anëtarë.
“Nëse dikush krenohej me aeroportet në qytetet e tyre, tetovarët krenoheshin me teleferikun. Njerëz nga e gjithë ish-Jugosllavia dhe vendet e Ballkanit, vinin të paktën një herë në jetë të udhëtojnë. Tani nuk punon. Thonë se nuk mund të rikonstruohet, por ne themi se mundet” – thonë nga kjo iniciativë.

Teleferiku I udhëtarëve ka gjatësi 6.5 kilometra, kurse udhëtimi për katër persona zgjatte 40 minuta, me kapacitet 400 njerëz brenda një ore. Përbëhej nga tri stacione. I pari në Tetovë në lartësi mbidetare 485 metra, gjysmëstacioni në afërsi t fshatit Lisec në 1.307 metra lartësi mbidetare dhe stacioni I fundit në Kodrën e Diellit në 1.708 metra lartësi mbidetare.
Teleferiku I cili u ndërtua nga viti 1962 deri 1965, vazhdimisht ka punuar deri në 1987, e më pas nga viti 1997 deri në 2001, kur ndaloi së funksionuari për shkak të dëmtimeve serioze gjatë luftës.