Të rinjtë nga Tearca shënuan „Ditën e të rinjve“ në SHF të rinovuar „Faik Konica” në fsh. Dobroshtë

Më 12 gusht të vitit 2022, nxënësit nga SHF „Faik Konica” në fsh. Dobroshtë, Komuna e Tearcës e shënuan „Ditën e të rinjve“ me më shumë aktivitete, të mbështetura nga Komuna e Tearcës dhe Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i implementuar nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ) në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor (FRA).

Një pjesë e tyre vizatuan vepra artistike që do të ekspozohen në shkollë, të tjerë morën pjesë në aktivitete sportive, derisa disa prej tyre mbollën drunj në oborr. Në këtë mënyrë, nxënësit kontribuan në mjedisin jetësor dhe ngritën vetëdijen për nevojën për aktivitet më të madh fizik dhe zhvillim të kreativitetit.
Në kuadër të aktiviteteve, u mbajt ngjarje promovuese për përurimin solemn të sallës së rinovuar.

Me mbështetje financiare nga Komanda Evropiane e SHBA-së (EUKOM) salla sportive është rinovuar dhe adaptuar me çka e gjithë bashkësia fitoi hapësirë të re për organizimin e aktiviteteve jashtëshkollore, ngjarjeve dhe kremtimeve.
Përfaqësuesja e Zyrës së USAID-it në Maqedoninë e Veriut, Xheri Dibëll dhe shefi i Zyrës së Bashkëpunimit Mbrojtës të Ambasadës së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, nënkoloneli Shon Rufollo, të cilët së bashku me kryetarin e Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, drejtoreshën e shkollës, Gjylser Rexhepi dhe përfaqësues nga komuna dhe shkolla iu bashkuan aktiviteteve të nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike dhe me ta diskutuan për rëndësinë e nxitjes së aktivizmit rinor dhe rolit aktiv të të rinjve në përmirësimin e gjendjes në rrethinë.

Në partneritet me organizata lokale, shkolla dhe bashkësi lokale, USAID në vend e avancon inkluzionin social, harmoninë ndëretnike dhe vlerat qytetare. Përmes projektit të USAID për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim krijohen mundësi për ndërveprim mes nxënësve dhe nxitet kreativiteti i tyre dhe pjesëmarrja rinore.