Të rinjtë e Maqedonisë kanë ikur n’Gjermani! Çfarë do të ndodhë mëtej

Premisat për një të ardhme të sigurt dhe jetë më të mirë kanë sjellë largimin gjithnjë e më të madh nga vendi të personave të kualifikuar dhe atyre që kanë mbaruar arsimin e lartë.

Ndërsa për Maqedoninë – ky trend po kthehet në një shqetësim serioz, sidomos për kompanitë vendase që po ndjejnë më së shumti mungesat e profesionistëve dhe stafit të kualifikuar. Nëse një dekadë më parë Banka Botërore konstatonte se rreth 29 për qind e njerëzve me arsim të lartë janë larguar për të jetuar dhe punuar jashtë vendit, në vitin 2019 kjo shkallë ka shkuar në 40 për qind, që do të thotë se më shumë se një e treta e kuadrove me arsim të lartë kanë ikur nga Maqedonia. Ky fenomen është kthyer në një problem shqetësues pasi po ndryshon tregun e punës në vend, vërejnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Mospërputhja midis ofertës dhe kërkesës së kualifikimeve që rezulton në një mungesë të personelit të arsimuar dhe të kualifikuar në kompani dhe firma në vend po i sjell kosto të lartë sektorit real, pasi janë atyre iu duhet të investojnë në trajnime shtesë dhe rikualifikim të njerëzve që punësojnë ose njerëzve të punësuar tashmë.

Për këtë çështje nuk rezultuan efektive as strategjitë qeveritare, si “Strategjia nacionale për parandalimin e largimit të kuadrit me arsim të lartë dhe profesionist 2013-2020” e MASH. Enti shtetëror i Revizionit në raportin e fundit ka vërejtje sa i takon koordinimit institucional dhe mungesës së Planeve të veprimit për të zbatuar strategjinë. “Revizionit edhe pas kontakteve dhe bisedave me personat e autorizuar nuk iu vu në dispozicion asnjë informacion, apo raport lidhur me synimet, aktivitete e strategjisë. Kështu edhe krahas resurseve të investuara për hartimin e një dokumenti strategjik të rëndësishëm për reduktimin e largimit të kuadrit të arsimuar dhe profesional, revizioni nuk mori asnjë fakt se strategjia ka funksionuar në praktikë edhe pa përligjjen e faktuar të së njëjtës… MASH duhet të vërtetojë shkallën e realizimit të aktiviteteve dhe synimeve të planifikuara”, thuhet në raport.

Nga sektori i biznesit ndërkaq kanë kërkuar në vite një program ekonomik, që do të jepte një pasqyrë të situatës. “Është thelbësore për zhvillimin e ekonomisë që të punojmë në zgjidhjen e problemit dhe të gjejmë mënyra për një staf shumë të kualifikuar për të qëndruar dhe punuar në vend. Ne kishim një strategji kombëtare për zvogëlimin e daljeve të stafit me arsim të lartë dhe rrjetëzimin dhe bashkëpunimin 2013-2020, por përkundër burimeve të investuara në përgatitjen e një dokumenti kaq të rëndësishëm strategjik për të zvogëluar daljen e stafit të arsimuar dhe profesional, strategjia nuk erdhi në jeta në praktikë”, thonë në Odën Ekonomike.

Sipas studimeve të kryera, arsyet që i detyrojnë profesionistët të braktisin vendin, më shumë sesa financiare janë joefikasiteti institucional, mosbesimi në institucione, sundimi joefikas i ligjit, sistemi i dobët shëndetësor, punësimi joadekuat dhe pagat në krahasim me arsimin, shanset e vogla të përparimit dhe trajnimit profesional. Nga ana tjetër, sqarojnë nga Oda thuajse në çdo qytet ka një fakultet dhe numri i të rinjve me kualifikime të arsimit të lartë është i madh, kështu që ata nuk mund të absorbohen nga sektori real, sepse sektori real ka nevojë për njerëz me nivele më të ulëta të kualifikimeve për rrjedhën normale.