77 janë viktimat deri në këto momente nga zjarret në Greqi. Flakët që përfshinë rajonin e Atticas në kryeqytetin helen pasditen e së hënës, të ndihmuara edhe nga erat e forta dhe temperaturat e larta u përhapën me shumë shpejtësi, duke e bërë të pamundur për disa që të largoheshin në kohë.
Ekipet e shpëtimit u përballën me pamje vërtetë tronditëse këtë të martë. Në mesin e tyre ishte edhe gjetja e një familjeje të tërë, prej 26 anëtarësh, të grumbulluar pranë njëri-tjetrit në një kompleks pushimesh.
Disa prej tyre ishin të përqafuar, ndërsa mes tyre kishte edhe fëmijë të vegjël. Ata ndodheshin vetëm 30 metra larg detit, pasi e patën të pamundur për të gjetur një rrugë për t’u larguar nga fshati i Matit.
Sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, ata besohet se ishin grumbulluar të gjithë sëbashku në përpjekje për të mbrojtur njëri-tjetrin nga zjarri.
Të ndezura edhe më shumë nga erërat e forta, që ndryshonin drejtim, flakët u përhapën me shpejtësi në zonat e populluara pranë detit.
Pjesa më e madhe e viktimave janë nga zonat e Rafina dhe Nea Makri, kryesisht në resortet e Matit dhe Kokkino Limanaki.