‘Të përgatitemi për më të keqen’/ OBSH: Vala e dytë e COVID-19 mund të godasë në vjeshtë

Një valë e dytë e koronavirusit mund të godasë këtë vjeshtë, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetit, ndërsa i është kërkuar qeverive që të krijojnë një program të suksesshëm të testimit, gjurmimit dhe izolimit.

Drejtori rajonal evropian i OBSH-së, Dr Hans Kluge, theksoi dje se gjurmimi i kontakteve dhe karantinimi i personave të infektuar me Covid-19 ishte ‘një element thelbësor’ i strategjisë.

“Është e mundur që kur të fillojë vjeshta të kemi gjithashtu një ritje të rasteve me virus, por nuk jemi ende të sigurt se do të shohim edhe një valë të dytë.

Ne duhet të zbatojmë ato që i dimë që funksionojnë, në thelb të strategjisë është të gjejmë sa më shpejt që të jetë e mundur, të izolojmë, të testojmë njerëz të dyshuar me Covid”, tha ai.

Ai vuri theksin po ashtu edhe tek respektimi i rregullave të izolimit nga qytetarët, të cilat i konsideroi “thelbësore” në parandalimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës.

“Ne duhet të shpresojmë për më të mirën, por duhet të përgatitemi për më të keqen: për rikthimin e mundshëm të COVID-19”, shtoi ai.

Dr Kludge paralajmëroi që ‘kambanat e alarmit’ duhet të kumbojnë për Europën, pasi COVID-19 është ende në një fazë aktive në shumë vende.

“Disa vende vazhdojnë të përballen me rritje të numrit të rasteve të të infektuarve. Muajin e kaluar numri i vendeve evropiane që treguan rritje të konsiderueshme në shtimin e rasteve të reja është trefishuar, nga 6 në 21 vende. COVID-19 është në një fazë aktive në shumë vende. Rreziku mbetet i lartë në shumë vende, ndaj është e domosdoshëm që të hiqen me shumë kujdes masat izoluese”, përfundoi ai.