Të pastrehët Kamberi e Adili nga Shkupi, luftë me fatin dhe institucionet

A homeless beggar man lying on the ground outdoors in city asking for money donation.

Selman Adili është 65 vjeç. Ai qan sa herë përmendet fjala “i pastrehë”. Ai ka luftuar për mbijetesë që nga viti 2014. Mosha dhe shëndeti nuk i përshtaten kur kërkon ndonjë punë për të siguruar bukë. Edhe kur e punësojnë, në shumicën e rasteve nuk e paguajnë. Shpesh here gjumi e zë me barkun bosh.

“Punoj si bravar dhe nuk po më paguajnë. 10 muaj kam punuar, por më ka mbet borxh edhe sot e sot. Ndonjëherë më kërkon dhe m’i jep nga 2 -3 mijë denarë . S’kam as social, as ndihmë, asgjë. Ta kisha pas të paktën dhomën time, mos ta kisha mendu atë pjesë. Tash me këtë kontrollën e fundit që e kemi bë më del problem që i kam damarët e zemrës të zëna. Zoti na ndimoftë, s’kemi çfar të bëjmë”, u shpreh i pastrehu Selman Adili.

Kamberi ndan të njëjtin fat. Jeta i shkaktoi shumë probleme. Gruaja i mori fëmijën dhe e la. 12 vjet nuk ka asnjë kontakt me ta. Që nga ai moment ai është një nga të pastrehët e shumtë që ngrysen e gdhihen në qiell të hapur në ndonjë rrugë të Shkupit. Jeta është e pamëshirshme, thotë Kamberi. Ai kërkon lëmoshë nga qytetarët për të siguruar kafshatën e gojës.

“Mbeta i pastrehë, kjo është historia ime e madhe, është e vështirë t’ju tregoj se si humba gruan, fëmijë dhe shtëpin. Më hoqën kujdesin, marr ndihmë sociale dhe me 5 mijë denar çafar do të bësh. A të blesh ilaçe, ushqime, veshje apo qeran të paguash. Kam dy ditë që vij në Kryqin e Kuq. Ditë të tjera t’ju themë sinqerisht kërkoj lëmosh. Nuk është turp të lypësh, është turp të vjedhësh dhe të gënjesh”, theksoi i pastrei Kamberi.

Ndryshe nga dy të parët, Dejani nuk e quan veten të pastrehë, por një rast social, edhe pse shtëpia e tij është një shtëpi e improvizuar, pa ujë dhe energji elektrike. Shqetësimi i tij më i madh është gjendja shëndetësore e së bijës së sëmurë nga kanceri.

“Dëshira ime më e madhe është që vajza ime e vogël të operohet. Të jetë shëndosh dhe gjallë. Shteti të na jep një banes, të rregullohemi dhe ne. Të jetojm si njerëzit e tjerë. Të mos flejm në tok, të mos kemi dhimbje veshkësh. Të mos kemi dhimbje. Ne jetojmë sikur të ishim në Afrikë. Kot kur ke para dhe nuk ke shëndet. Duhet të shkosh te mjekët, të jesh i kuruar, të mos ikin prej teje”, u shpreh Dejan Ilievski rast social.

Statistikat për të pastrehët ndryshojnë me kalimin e viteve dhe numri është gjithmonë në rritje. Sipas Kryqit të Kuq të RMV, para pandemisë kishte 120 të pastrehë, ndërsa tani janë rreth 160. Sandra Kovaceviç është psikologe në Kryqin e Kuq. Ajo ka dëgjuar shumë histori dhe thotë se arsyet më të zakonshme që i kanë bërë këta persona të pastrehë janë falimentimi ekonomik, marrëdhëniet e pazgjidhura familjare, alkoolizmi, problemet e shëndetit mendor, depresioni dhe çrregullimet e ndryshme mendore.

“Thjesht flisni me ta. Ata janë kryesisht fëmijë të shtëpisë së fëmijës, të cilët janë rritur pa dashuri dhe kujdes. Një fjalë e ngrohtë, e ata ju kuptojnë. T’i kushtosh vëmendje, ta respektosh si person. Mendoj se kjo u jep atyre vullnetin më të madh për të ecur përpara”, theksoi psikologja në Kryqin e Kuq Sandra Kovaceviç.

Por nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, japin shifra trefish më të vogla nga numrat e të pastrehëve me të cilat korrespondon Kryqi i Kuq. Të dhënat e MPSS-së janë vetëm për të pastrehët në punktet e posaçme për ta.

“Në objektin tonë në dispozicion të Qendrës së Kujdesit për të pastrehët në Çiçino Selo, ka 42 të pastrehë të rritur dhe dy fëmijë të moshës parashkollore. Të pastrehët nuk janë përfitues të asistencës minimale të garantuar. Ata janë nga Shkupi, Tetova, Velesi dhe Kumanova”, thonë nga MPPS-së.

Aktivistja për të drejtat e njeriu Mersiha Samiloviq, vlerson se institucionet shtetërore, nuk kanë as vendosshmëri dhe as vullnet nga për t’u dalë në ndihmë të pastrehëve.

“Vullnet, do të thotë mungon vullnet i fortë për të ndihmuar çdo kategori e rezikuar njejt si qytetarët e tjerë. Ne kemi nevojë për një iniciativë vendimtare për ta zhdukur atë”, u shpreh aktivistja për të drejtat e njeriut Mersiha Samiloviç.

Kjo kategori njerëzish që ka humbur shtëpitë apo mbështetjen e të afërmve injorohet në vazhdimësi nga autoritetet. Deri më sot, nuk ka një shifër të saktë se sa njerëz janë të pastrehë ose që jetojnë në rrugë. Selmani dhe Kamberi, do të vazhdojnë të kërkojnë ndihmën e njerëzve për të mbijetuar e të vizitojnë punktet ku ndahet ushqime për ta herë pas here. Shpresa se dikush do u sigurojë qoftë edhe pak metra katror çati mbi kokë, për ta ka vite që është zhdukur.

Kjo storie është në vazhdën e storieve hulumtuee që MTV realizon me Institutin për Studime të Komunikimit.