Të paktën 93 të vdekur në sulmin në Moskë, katër terroristë të arrestuar

Të paktën 93 persona u vranë nga të shtënat në një sallë koncertesh pranë Moskës, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA dhe autoritetet ruse konfirmuan se katër terroristë ishin arrestuar pas sulmit të premten, më 22 mars, për të cilin mori përsipër grupi ekstremist i quajtur Shteti Islamik.

Ministria ruse bëri të ditur emrat e të plagosurve. Në listë janë 121 persona.

Kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) informoi presidentin rus Vladimir Putin për ndalimin e 11 personave, përfshirë katër terroristë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Crocus, njoftoi Kremlini, shkruan Reuters.

Grupi ekstremist i quajtur Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, i cili tha në Telegram se anëtarët e tij “kryen një sulm në një tubim të madh të mbajtur në një periferi të kryeqytetit rus Moskë”.

Sulmi në sallën e koncerteve Crocus në Krasnogorsk afër Moskës ndodhi para shfaqjes së grupit Piknik. Mediat ruse raportuan se sulmuesit hodhën eksplozivë që shkaktuan një zjarr të madh në zonën e koncerteve, e cila mban rreth 6000 njerëz.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte asnjë indikacion se Ukraina ishte e përfshirë në sulm.

“Nuk ka asnjë indikacion për momentin se Ukraina apo ukrainasit janë përfshirë në të shtënat”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Rusia ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara e dinë me siguri se Ukraina nuk është e përfshirë në të shtënat në sallën e koncerteve pranë Moskës, Uashingtoni duhet të ndajë të gjithë informacionin që ka.

“Në çfarë baze nxjerrin përfundime zyrtarët në Uashington për pafajësinë e dikujt në mes të një tragjedie”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.