Ekipi shtetëror për dialogun, i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pritet të takohet më 8 janar në Bruksel me përfaqësuesen e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherinin.
Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, ka thënë se takimi i javës së ardhshme do të jetë vetëm konsultativ, raporton KTV.
Ai ka thënë se Kosova do ta paraqesë qëndrimin e saj për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Limaj thotë se Ekipi shtetëror për dialogun është duke e krijuar platformën e Kosovës për këtë proces.
Ai ka përmendur se temë kryesore do të jetë edhe çështja e të pagjeturve.
Zëvendëskryeministri Limaj, ka thënë se vazhdimi i dialogut nuk mund të kushtëzohet me tërheqjen e vendimit për masën 100 përqind ndaj produkteve serbe.
Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq ka konfirmuar se zyra e saj i ka bërë ftesë ekipit të sapo votuar në Parlament, për takim konsultativ në Bruksel.
Derisa Ekipi shtetëror për dialogun pritet të takohet në Bruksel me Mogherinin, presidenti Hashim Thaçi, i cili ka proklamuar idenë për korrigjim të kufijve me Serbinë, ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e këtij takimi, por do të shkojë për skijim në Brezovicë.