Të mërkurën Zaevi takohet me Selën dhe Gashin

Deputeti Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA, bëri të ditur se të mërkurën opozita shqiptare do të takohet me kryeministrin Zaev për të diskutuar për ligjin për shtetësinë dhe gjetjen e zgjidhjes.
Takimi do të mbahet të mërkurën në ora 10:00.

“Kam një lajm të mirë edhe për të gjithë ata që kanë problem me shtetësinë se presioni ynë arriti suksesin e vet dhe ditën e merkur në ora 10 do të takohen dy kryetarët me kryeministrin dhe përfaqësues të Qeverisë bashkë me koordinatorët e koalicionit tonë dhe atyre qeveritarë me qëllim që të gjejmë zgjidhjen për ligjin për shtetësinë”, tha Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA.

Kujtojmë se edhe kryeministri Zaev dje konfirmoi se do të takohet me koalicionin ASH-AAA për gjetjen e një zgjidhjeje për ligjin për shtetësinë.
“Po. Unë do të takohem me Aleancën dhe Alternativën javën tjetër për të zgjidhur problemin e qytetarëve pa shtetësi”, tha shkurt kryeministri Zaev për TV21.
Ndërkaq, ditën e hënë në Klubin e deputetëve Zaev do të takohet edhe me kryetarin e opozitares VMRO-DPMNE për të diskutuar për të gjitha çështjet jetike.