Të mërkurën do të nisë vaksinimi me vaksinat ruse

Të hënën do të dihet se çfarë do të vendoset lidhur me masat e reja eventuale restriktive. Kështu bëri me dije ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Duke komentuar kërkesën e Negotinës dhe Gjevgjelisë që të vendoset orë policore në këto komuna pas rritjes së rasteve me Covid-19, Filipçe tha se tani për tani kjo nuk është e nevojshme.

Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Analiza do të përfundoj në fillim të javës. Do t’i ndjekim shifrat këto ditë. Për momentin nuk ka nevojë për masa plotësuese restriktive, por aspak nuk e përjashtoj këtë mundësi. Në fillim të javës së ardhshme, do ta themi qëndrimin, në pajtim me atë analizë… Tani për tani mendoj se asnjë qytet nuk i plotëson kushtet për të pasur kufizim të lëvizjes”.

Filipçe njoftoi se të mërkurën do të nisë vaksinimi me vaksinat ruse, që pritet të arrijnë nesër në aeroportin e vendit tonë. Sasia e parë që do të arrijë përfshin 3 mijë vaksina, ndërsa gjithësej vaksina të kompanisë “Sputnik V”, do të vijnë 200 000 doza.

Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Ne i morëm nga kompania ruse të gjitha dokumentet nevojshme që të përgatitet procedura administrative në Agjensinë e Barnave, që do të thotë leje për import që tani gjatë fundjavës leja të vihet në përdorim. Ka shumë gjasa që vaksinimi të filloj të mërkurën, ndërsa nesër duhet të arrij në Aeroportin e Shkupit në orën 14:00”.

Ministri sqaroi se sistemi i vaksinimi do të jetë i njëjtë, vetëm që do të ndërroj lokacioni, gjegjësisht vaksinimi do të realizohet në shtëpitë e shëndetit në Shkup.
Filipçe u shpreh se kanë bërë marrëveshje dhe janë në pritje të gjithsej 2.2 milionë doza të vaksinave. Ai tha se i presin 200 000 dozat e vaksinës kineze, ndërsa një sasi e tyre do të arrijë së shpejti. Edhe nga “Astra Zeneka”, vendi i pret 200 000 vaksiana anti Covid.