Të martën në Kuvend maskat e detyrueshme dhe kufizimi i mysafirëve

Kufizimet e reja të Qeverisë, si obligimi për mbajtjen e maskave dhe kufizimi i numrit të mysafirëve në më së shumti katër persona, do të presin të paktën edhe për pesë ditë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka paralajmëruar se Ligji për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse, ku janë paraparë pakoja e parë e masave të Qeverisë, mund të vendoset përsëri në rend dite në seancën e radhës të caktuar për më 27 tetor. Në një brifing me gazetarë ai ka sqaruar se nuk është kompetencë e tij të konstatojë se për çfarë nuk pajtohen partitë dhe kordinatorët e grupeve parlamentare, ndërsa u ka bërë thirje që ato të merren vesht për rrjedhën e mëtejme dhe fatin e këtij ligji.

Talat Xhaferi
“Ajo është mosmarrëveshje mes partive politike dhe jo e Kuvendit. Fillimisht duhet të votohet nevoja për sjelljen e një ligji të tillë, që pastaj shërbimet me automatizëm ta vendosin në rend dite atë pikë me procedurë të shkurtuar. Por, ajo nuk mund të vendoset në votim përderisa nuk kalon në komisionin juridiko-ligjvënës. Përndryshe cili do të ishte kuptimi i procedurës së shkurtuar?”

Për të martën e ardhëshme ai njoftoi se ka caktuar seancë me katër pika të rendit të ditës, por nëse përfundon procedura e rishikimit të buxhetit dhe Ligjit antidiskriminim, që pret të ndodh gjatë kësaj jave, atëherë në seancë do t’i përfshijë edhe këto ligje. Në të njëjtën seancë, Xhaferi ka njoftuar se do të gjindet edhe Ligji për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, për të cilin tha se nuk planifikon të thëret seancë të re vetëm për një pikë edhe atë me procedurë të shkurtuar, pasi partitë ishin ata që paraprakisht kërkuan vetë tërheqjen e ligjit nga rendi i ditës. Kjo përgjigje e kryeparlamentarit erdhi pasi VMRO-DPMNE mbrëmë kërkoi që ligji për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse të hyjë në procedurë me urgjencë, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.
Kryetari i Kuvendit ka njoftuar gjithashtu se edhe tre deputetë janë ende në izolim, ndërsa të hënën ju përfundon afati. Njëri prej deptetëve që ishte shtrirë për kurim në spital, është rikthyer në shtëpi dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.